TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Nëntor 2025, 12:40

Edi Rama drejt Presidencës duke i eliminuar të gjithë socialistët

Shkruar nga Pamfleti
Edi Rama drejt Presidencës duke i eliminuar të gjithë
Edi Rama /

Plani “Erdogan” në Tiranë: Rama drejt Republikës Presidenciale 7-vjeçare me aleancë të heshtur Berisha

Në prapaskenë po përgatitet ndryshimi kushtetues që do të kthejë Shqipërinë në një republikë presidenciale. Rama kërkon të sigurojë pushtet të pakufizuar dhe imunitet të përjetshëm, ndërsa Berisha shpëton nga ndjekjet penale përmes krijimit të Senatit.

Burime të sigurta politike konfirmojnë se Edi Rama është në fazën e fundit të planit për të ndryshuar sistemin kushtetues të Shqipërisë dhe për të ndërtuar një model identik me atë të Turqisë së Erdogan.
Marrëveshja e heshtur me Sali Berishën përfshin ndarjen e përfitimeve: për Ramën, presidencë e drejtpërdrejtë me mandat 7-vjeçar dhe kontroll total mbi qeverinë; për Berishën, Senati i ri që i jep imunitet të përjetshëm.

Në prapaskenë, Edi Rama po zbaton me përpikëri një skenar që e ka përgatitur prej kohësh: shndërrimin e Shqipërisë në Republikë Presidenciale, me model të importuar nga Turqia e Recep Tayyip Erdogan.
Ky plan politik, që prej dy vitesh ka qarkulluar në qarqet e ngushta të pushtetit, po hyn në fazën e tij të fundit.
Në versionin që po përgatitet për miratim në vitin 2026, kreu i shtetit do të zgjidhet nga populli, do të drejtojë qeverinë, dhe do të ketë mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje edhe për një mandat të dytë.

Në thelb, ky ndryshim shkatërron modelin parlamentar të ndërtuar në 1998 dhe e kthen Shqipërinë në një sistem të centralizuar ku Presidenti i Republikës bëhet edhe Kryeministër.
Për Ramën, kjo është mënyra e vetme për të siguruar imunitet të përjetshëm politik dhe juridic; një mburojë ndaj hetimeve që po afrohen dhe ndaj presionit të ndërkombëtarëve për largimin e tij nga pushteti.
Ndërsa për Sali Berishën, aleatin e heshtur të këtij plani, do të jetë shpëtimi final: krijimi i një Senati të ri, ku ai dhe një grup i vogël figurash politike do të marrin statusin e “senatorëve të përjetshëm”, me imunitet absolut nga ndjekja penale.
Ky pazari i heshtur Rama-Berisha është baza mbi të cilën po ndërtohet projekti kushtetues që do të ndryshojë rrënjësisht sistemin e qeverisjes.

Sipas burimeve të afërta me kabinetin qeveritar, ndryshimet në Kushtetutë do të përfshijnë tre pika thelbësore:

1.  Zgjedhjen e Presidentit nga populli, me mandat 7-vjeçar dhe kompetencë për të formuar qeverinë.

2.  Krijimin e Senatit, si dhomë e dytë e Parlamentit me mandat të përhershëm për ish-krerët e shtetit dhe ish-kryeministrat.

3.  Ndryshimin e ligjit zgjedhor sipas kërkesës së PD-së, që garanton përfshirjen e opozitës në marrëveshje për reformën territoriale dhe për rregullat e reja elektorale.

Në këmbim, Berisha merr garancinë që çdo proces penal ndaj tij të shuhet automatikisht sapo të miratohet struktura e re e Senatit, një amnisti e maskuar kushtetuese që e nxjerr përfundimisht jashtë juridiksionit të SPAK-ut dhe çdo gjykate shqiptare.

Ky projekt është planifikuar të finalizohet brenda janarit 2026, për të krijuar terrenin për zgjedhje të trefishta në vitin 2027: presidenciale, parlamentare dhe vendore.
Në atë moment, Shqipëria do të ketë një model të ri pushteti me një President të fortë, të zgjedhur nga populli, dhe një Senat të përhershëm që kontrollon çdo vendim politik.

Në prapaskenë, Rama ka filluar spastrimin total të Partisë Socialiste nga çdo figurë që mund të rivalizojë këtë plan.
Emra si Saimir Tahiri, Ditmir Bushati, Damian Gjiknuri, Erion Veliaj, Belinda Balluku, dhe Elisa Spiropali janë tashmë jashtë orbitës së pushtetit, të neutralizuar përmes hetimeve, distancimeve ose goditjeve politike.
Nëse Erdogan arrestoi njerëzit e tij për të marrë kontroll të plotë mbi AKP-në, Rama ka zgjedhur versionin më të butë, por po aq efektiv: t’i zhdukë politikisht një nga një.
Burime të besueshme pohojnë se Spiropali është e radhës në listën e goditjeve, pas paraqitjes së bashkëshortit të saj në SPAK.

Në fazën e parë, Rama ka ndërtuar bazën institucionale të pushtetit absolut: kontroll mbi parlamentin, qeverinë, gjyqësorin, policinë dhe mediat.
Faza e dytë, që po përgatitet tani, është transformimi kushtetues; kodi juridik që i jep formë asaj që faktikisht ekziston prej kohësh: një regjim me një qendër të vetme vendimmarrjeje.
Si Erdogan në vitin 2016, Rama po përgatitet të justifikojë këtë ndryshim me retorikën e “stabilitetit dhe efikasitetit shtetëror”, duke shitur për opinionin publik idenë e një “republike moderne me president të fortë”.

Në thelb, ky nuk është thjesht një projekt për pushtet, por strategjia e mbijetesës politike dhe ligjore të Ramës.
Kur të vijë momenti që drejtësia të trokasë në zyrën e tij, ai nuk do të jetë më Kryeministër; do të jetë President i Republikës, me imunitet të përjetshëm.

Shqipëria po hyn kështu në fazën më të rrezikshme të tranzicionit të saj:
Nga demokracia parlamentare drejt një republike presidenciale të personalizuar, ku pushteti nuk ndahet, por përqendrohet.
Dhe nëse ky plan finalizohet, historia nuk do të kujtojë Edi Ramën si “rilindësin” që premtoi ndryshimin, por si arkitektin e republikës së tij; një “Erdogan” shqiptar me vulë kushtetuese./Pamfleti

edi rama drejt presidencës

3 Komente

  1. e
    eda

    Nuk e kuptoj pse hiqet akoma zvarre. E ka berr keq e me keq kete pune dhe prape nuk mban asnje pergjegjesi. Korrupsion masiv, vjedhje baterdi kudo, nje administrate e mbaruar, kush te grabis me pare. Dhe do akoma pushtet!!!

    1. d
      drei

      Se ku do shkoj ky ate e di i madh e i vogel.

      1. C
        Cekani.

        Faji i madh ju bje pensionistave çyryk që e votuan. Fatkeqësi e madhe për këtë popull që kënaqet me 200 deri 500 lekë. Me ndryshimet kushtetuese ai do bëhet i pa prekshëm. E gjith drejtësia do jetë formale. Bravo Amerika që tallet me popullin e shumëvuajtur shqiptar. Prandaj ai do drejtoj sa ti dojë qejfi dhe si ti dojë qejfi. Çyrykët që i dhanë votat të kënaqen me thërrimet e Ramës. Rroftë Rama me oligarkët, servilat, sahanlëpirsit, patronazhistat, kriminelat.

        Lini një Përgjigje