TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Mars 2024, 10:24

Edhe Putin, Dodik, Vuçiç, Lukashenko, Erdogan e Kim Yong Un, çdo 4 vite bëjnë zgjedhje në parti, Edi Rama Jo!

Shkruar nga Pamfleti
Edhe Putin, Dodik, Vuçiç, Lukashenko, Erdogan e Kim Yong Un,
Rama, Vuçiç dhe Dodik /

Si mund të na anëtarësojë në BE, një parti që e ka hequr nga statuti dhe e ka ndaluar procesin zgjedhor për kryetarin?!

Pas punimeve të Asamblesë së PS, të mbajtur te resorti i Artan Dulakut në Lalz, Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi, tha se startoi procesi për zgjedhjet e drejtuesve të degëve dhe organizatave të PS në zona e struktura për organet qendrore.

Pyetjes, nëse në këtë proces brenda partisë do bëhen zgjedhje dhe për kryetarin e madh të partisë, sekretari Blendi Klosi iu përgjigj, se posti i kryetarit qendror, nuk përfshihet në zgjedhje, mbasi ai është votuar nga populli.

Zgjedhjet në parti janë normë demokracie brenda saj, ku secili që ka ide, aftësi, ambicie e mbështetje, ka të drejtë të garojë për drejtimin e forcës politike.

Mirëpo Edi Rama e ka hequr nga Statuti i PS, garën për zgjedhjen e kryetarit, për aq kohë sa PS të jetë në pushtet, kur pavarësisht se është apo jo në pushtet, duhet votëbesuar çdo 4 vite me garë të hapur e me rivalë.

Por prej 19 vitesh, Edi Rama po sundon në PS i pa zgjedhur, madje më 9 prill 2022, fshiu nga statuti, detyrimin për zgjedhjen e kryetarit, duke e lënë deri kur partia të humbasë zgjedhjet parlamentare, por nuk është çudi, që pas edhe humbjes së pushtetit, Edi Rama ta heq përsëri këtë kusht.

Pavarësisht statutit që i lejon Edi Ramës të mos votëbesohet si kryetar, vetë Edi Rama, urdhëron që çdo 2 e 4 vite, të bëhen zgjedhje për vartësit e tij dhe për kryetarët e PS në qarqe, rrethe, bashki e organizatat e njësive të banimit.

Është absurde, që në një vend me negociata në BE; partia në pushtet ka hequr nga statuti dhe ka ndaluar procesin zgjedhor për kryetarin, duke lejuar sundimin e përjetshëm në parti.

Pra, prej 15 vitesh, Edi Rama nuk lejon votim për kryetar partie çdo 4 vite, me mendësinë se PS është në pushtet, kur dhe partitë në pushtet në SHBA, Angli, Gjermani, Francë, Itali, Suedi, Austri, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Danimarkë etj., çdo 4-5 vite bëjnë zgjedhjet për kryetarë.

Madje, zgjedhje në parti çdo 4 vite, bën edhe Kim Yong në Korenë e Veriut që postin e ka trashëgim nga babai e gjyshi; zgjedhje bën edhe Partia Komuniste në Kinë që është prej 70 vitesh në pushtet.

Zgjedhje çdo 4 vite, bën partia “Rusia e Bashkuar” e Vladimit Putinit, që është prej 24 vitesh në pushtet; partia e Milorad Dodik në Republikën Serpska të Bosnjës që është në pushtet prej vitit 2006; “Partia Progresive Serbe” e Aleksandër Vuçiçit etj.

Por dhe Partia Komuniste e Aleksandër Lukashenkos në Bjellorusi, që është në pushtet qysh prej vitit 1994; “Partia për Drejtësi dhe Zhvillim” e Erdogan, që është  në pushtet prej vitit 2007; partia “FIDESZ” e Viktor Orbanit në Hungari që është në pushtet prej 14 vitesh, si dhe partia e Milo Gjukanoviç që qëndroi 30 vite në pushtet.

Ndërsa Edi Rama, prej 15 vitesh nuk lejon të bëhen zgjedhje për kryetarin e PS, me justifikimin se është në pushtet; kur është në pushtet si kryeministër, ndërsa brenda partisë duhet të garojë çdo 4 vite për kryetar./Pamfleti

putin dodik vuçiç lukashenko erdogan zgjedhje në parti edi rama

Lini një Përgjigje