
Shqipëria është kapur nga krimi dhe korrupsioni, duke i shndërruar zgjedhjet në një fasadë për legjitimimin e interesave kriminale. Paratë e drogës, korrupsionit dhe basteve ilegale investohen në kulla luksoze në Tiranë, ndërsa shtresa e mesme po tkurret në maksimum, popullsia largohet. Ndryshimi duket gjithnjë e më shumë një iluzion.
Shqipëria është sot nën thundrën e grupeve kriminale, të cilat kontrollojnë gjithnjë e më shumë territor ekonomik dhe politik. Në këtë kontekst, çdo përpjekje për zgjedhje të lira dhe të ndershme është shndërruar në iluzion dhe utopi, ndërsa vetë procesi zgjedhor po përdoret për të ruajtur status quo-në dhe për të garantuar interesat e pushtetit ekonomik dhe politik.
Asnjë prej forcave politike nuk po lufton realisht për ndryshim, sepse palët janë bërë pjesë e këtij mekanizmi kriminal. Njerëzit e lidhur me krimin nuk janë ndier kurrë më të sigurt se sot, ndërsa çdo para e zezë që sigurohet nga droga, korrupsioni shtetëror, bastet ilegale dhe aktivitete të tjera kriminale investohet në kulla të larta e pallate luksoze në Tiranë, duke pastruar kapitalet e zeza dhe duke fuqizuar influencën politike dhe ekonomike të oligarkëve.
Në anën tjetër, qeveria ka ngritur një sistem të korruptuar përmes tenderëve, koncesioneve dhe PPP-ve, duke blerë heshtjen apo bashkëpunimin e strukturave dhe individëve kyç në institucione dhe shoqëri. Në këto rrethana, askush nuk ka interes real që kjo situatë të ndryshojë.
Rezultati është i qartë: njerëzit e hurit dhe të litarit marrin plaçkën, të pasurit shtojnë pasuritë, ndërsa shtresa e mesme, ajo që historikisht ka qenë motori i ndryshimit shoqëror, është tkurrur në mënyrë dramatike. Të varfërit nuk kanë më asnjë shpresë dhe po zgjedhin çdo ditë largimin masiv nga Shqipëria, duke ia lënë vendin të huajve.
Ky fenomen është një këmbanë alarmi për të gjithë ata që ende kanë shpresë për një Shqipëri më të mirë. Nëse nuk ndërhyhet menjëherë dhe në mënyrë vendimtare për të shkëputur lidhjen mes krimit dhe politikës, rreziku është që Shqipëria të mbetet përgjithmonë peng i grupeve kriminale dhe i oligarkisë financiare, ku zgjedhjet do të jenë vetëm fasadë për legjitimimin e pushtetit të tyre./Pamfleti
Lini një Përgjigje