
Teksa Meta pak ditë më parë takohej në zyrë me të dërguarin e DASH, Gabriel Escobar dhe donte të tregonte se i ka ujë raportet me amerikanët, Departamenti i Drejtësisë ka kthye përgjigje për një letër-porosi të SPAK mbi lobimet e dyshimta në SHBA...
Familja e Ilir Metës është tronditur sërish sot nga Prokuroria e Posaçme. Pak javë më parë ish-presidenti ngjiti shkallët e SPAK për aferën CEZ-DIA, por dosjet kundër tij janë shtuar dhe gjërat kanë nisur të lëvizin.
Sot në SPAK ishte Endrit Braimllari, i cili u mor në pyetje mbi lobimet e LSI në SHBA. Në SPAK ka një padi ku pretendohet se janë shpenzuar mbi 700 mijë dollarë dhe nuk janë deklaruar në KQZ apo në ILDKP. Por zhvillimi më i bujshëm nuk ishte pyetja e Braimllarit, por fakti që SHBA ka sjellë në Tiranë një dosje voluminoze kundër Ilir Metës.
Teksa ky i fundit pak ditë më parë takohej në zyrë me të dërguarin e DASH, Gabriel Escobar dhe donte të tregonte se i ka ujë raportet me amerikanët, Departamenti i Drejtësisë ka kthye përgjigje për një letër-porosi të SPAK. Mësohet se amerikanët kanë vënë në dispozicion të prokurorisë të gjitha deklarimet që janë bërë në Departamentin e Drejtësisë nga kompania "McKeon Group", kompani që u mor me lobimet e Metës. Po ashtu dhe shumë informacione shtesë që implikojnë ish-presidentin.
Kontratat konfirmojnë se Ilir Meta, në fillim të vitit 2017, ka paguar rreth 700 mijë dollarë te kompania McKeon Group. 90 mijë dollarë janë paguar nga avokati Iraklis Fidecis, ndërsa 600 mijë të tjera sërish nga Fidetzis por përmes kompanisë “Dorelita Limited”, e regjistruar si offshore në Qipro.
Ndryshe nga sa tregojnë dokumentet amerikane, në raportin e saj vjetor financiar për vitin 2017, të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, LSI ka raportuar shpenzime për konsulencë dhe lobim në vlerën 3.3 milionë lekë. Konkretisht, LSI ka deklaruar në KQZ shpenzime konsulencë në vlerën 1,414,465 lekë me kompaninë JPM Strategic Solution LLc USA. Gjithashtu, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar në raportin financiar shërbime konsulence me kompaninë MCKEON GROUP, në vlerën 1,942,500 lekë. Pra paratë janë fshehur.
Por kthimi i përgjigjes nga amerikanët duhet të jetë një kambanë alarmi edhe për Berishën. Paralel me kërkesën për Metën, SPAK dërgoi një letër-porosi në SHBA për Gërdecin. Më konkretisht, u kërkua të merret në pyetje Efrim Diveroli, i cili u dënua në SHBA për trafiqe fishekësh. Vetë ky i fundit ka përmendur emrin e Shkëlzen Berishës, ndërsa të njëjtën gjë kanë bërë dhe bashkëpunëtorët e tij. Nëse SHBA përgjigjet për këtë letër-porosi, atëherë Berishë do i dridhet toka në këmbë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje