TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Shkurt 2026, 13:35

Dosja Balluku, Bardhi sulmon Ramën: 3 ndërhyrjet që kryeministri po bën për të shpëtuar veten

Shkruar nga Pamfleti
Dosja Balluku, Bardhi sulmon Ramën: 3 ndërhyrjet që kryeministri
Kreu i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar publikisht ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe mundësinë e ndryshimeve ligjore mbi pezullimin e saj.

Sipas Bardhit, qëndrimi i kryeministrit dhe paralajmërimi për ndërhyrje në legjislacion përbëjnë një përpjekje të drejtpërdrejtë për të mbrojtur pushtetin politik në një moment kur një nga bashkëpunëtoret më të afërta të tij është nën hetim penal. Ai theksoi se ligjet nuk ndryshohen gjatë një procesi hetimor dhe se çdo veprim i tillë cenon parimet bazë të shtetit të së drejtës.

Bardhi deklaroi se bashkërendimi i veprimeve mes qeverisë dhe Kuvendit kundër vendimeve të dy gjykatave, në kuadër të një çështjeje penale aktive, përbën presion institucional ndaj drejtësisë. Sipas tij, kjo situatë nuk përfaqëson ndarje pushtetesh, por ndërhyrje të organizuar në funksionimin e sistemit gjyqësor.

Ai u ndal edhe te pretendimi se nuk ekziston urgjencë për kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut, duke e interpretuar këtë si një sinjal për shtyrje të procesit dhe blerje kohe nga ana e pushtetit ekzekutiv.

Reagimi i Gazment Bardhit

3 të vërteta për ndërhyrjen e Ramës në një hetim aktiv:

1. Kur një Kryeministër ndryshon ligjin ndërkohë që po hetohet bashkëpunëtorja e tij më e afërt, ai nuk po mbron ndonjë parim kushtetues apo ligjor. Po mbron pushtetin e vet të korruptuar. Rregullat nuk ndryshohen në mes të hetimit për të shpëtuar veten.

2. Kur Qeveria dhe Kuvendi bashkohen për të goditur vendimin e dy gjykatave në lidhje me një hetim penal aktiv, kemi dy pushtete që përpiqen të ndikojnë të tretin. Kjo nuk është ndarje pushtetesh. Është presion i organizuar kundër drejtësisë.

3. Kur thuhet se “nuk ka urgjencë” për kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut, mesazhi është i qartë: Drejtësia duhet të presë. Pushteti ka nevojë për blerje kohe.

Pezullimi nga ushtrimi i funksionit publik nuk është shpikje e SPAK-ut. Është i shkruar në Kodin e Procedurës Penale. Ai vlen për çdo funksionar publik.

Për ministër. Për zëvendëskryeministër. Për kryeministër.

Kur ekzistojnë kushtet ligjore, mund të pezullohet kushdo, sepse pezullimi nuk paralizon shtetin. Paralizon vetëm personin nën hetim për të shmangur ndikimin përmes funksionit.

Arresti kërkohet kur rrezikohet hetimi përmes intimidimit të dëshmitarëve apo cenimit të provave. SPAK ka sjellë prova se këto rreziqe janë konkrete në rastin e Belinda Ballukut. Pra, janë dy masa paralele. Njëra mbron procesin penal, tjetra mbron institucionin.

T’i ngatërrosh ato, siç bën Edi Rama, është deformim i së vërtetës me qëllim pengimin e drejtësisë.

Ligji është i qartë. Nuk ndryshohet sepse prek pushtetin.

Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet pa justifikime, pa shtyrje artificiale, pa manovra politike. Kryetari i Kuvendit duhet të zgjedhë: ose në anën e ligjit, ose në anën e pengimit të drejtësisë.

dosja balluku/ bardhi sulmon ramën

Lini një Përgjigje