Kryeministri Edi Rama dhe takimi që ai mbajti me diasporën shqiptare në Athinë vijon të mbetet lajmi i ditës në Greqi.
Pas kryeministrit Kyriakos Mitsotakis e anëtarëve të kabinetit të tij, një reagim ka ardhur edhe nga Dora Bakoyannis, ish-ministre e Jashtme në Greqi, por edhe motra e kryeministrit aktual, Kyriakos Mitsotakis.
Fokusi i reagimit të saj ka qenë mesazhi kryesor i takimit të së dielës se Rama ka ndikim tek emigrantët shqiptarë në fqinjin jugor.
“E pashë dhe dëgjova se Rama mblodhi 5 mijë shqiptarë. Nuk më intereson çfarë bën zoti Rama me emigrantët. Mua më intereson se çfarë bën ai me Belerin.
Rruga europiane e Shqipërisë varet nga respektimi i të drejtave të minoritetit etnik grek në Shqipëri. Dhe dua t’i them diçka zotit Rama, që e kam diskutuar shumë herë me të.
Greqia ka më shumë ndikim politik tek votuesit shqiptarë që janë prezentë në Greqi se sa ka zoti Rama mbi ta dhe kurdo që ta shfrytëzojë këtë ndikim Greqia mund ta bëjë me shumë lehtësi”, është shprehur Dora Bakoyannis në një intervistë për ‘Sky”.
Vizita e kryeministrit Edi Rama në Athinë, ku u takua me emigrantët shqiptarë në Greqi u pasqyrua pothuajse në të gjitha mediat greke.
Protothema.gr që në titull e konsideron ‘mysafir të paftuar’ Ramën, ndërsa e cilëson hipokrite deklaratën e tij.
“Shpirtrat shqiptare të Ramës në Athinë – Çfarë bëri ‘mysafiri i paftuar’ në Galatsi”, është titulli i Protothema.gr.
Sipas protothema.gr, “Një vit pas burgosjes së Fredi Beleris, kryeministri shqiptar organizoi një festë “parazgjedhore” në Galatsi Postimet hipokrite për miqësinë e dy popujve, akuzat për korrupsion dhe persekutim të minoritetit grek”.
Pothuajse në të njëjtat tone shkruan edhe Newsbomb.gr, ku e akuzon kryeministrin shqiptar si falsifikues të historisë.
“Pyes veten për qëllimin e vizitës së Edi Ramës në Greqi, me kryeministrin shqiptar duke dhënë një recital nacionalizmi pasi nuk ngurroi pa turp të përmendte se Laskarina Boubulina ishte… shqiptare! Rama, në një furi të pabesueshme, nuk hezitoi të falsifikojë historinë dhe ta shkruajë si të dojë… duke dëshmuar se është edhe antihistorik, edhe i rrezikshëm! Ai u shpreh në mënyrë karakteristike se “Bubulina u rrit në një familje që fliste shqip”! Dhe e gjithë kjo në Greqi!”, shkruan Newsbomb.gr.
Ndërsa media tjetër Zougla.gr preferon ta mbajë titullin me përgjigjen e kryeministrit ndaj kritikëve,m të cilët e konsiderojnë provokim takimin e tij me emigrantët.
“Rama: Nuk kam ardhur për të provokuar por për të takuar njerëzit e mi!
Në këtë moment është duke u zhvilluar fjalimi i Edi Ramës në Galatsin e Mbyllur, në të cilin ai ka hyrë me duartrokitje dhe nën tingujt e himnit kombëtar shqiptar. Kryeministri shqiptar i është përgjigjur nga foltorja Fredi Beleris, i cili tha se “ka ardhur në Greqi për të provokuar” , duke thënë në mënyrë karakteristike: “Unë nuk kam ardhur për të provokuar, kam ardhur të takoj njerëzit e mi”, shkruan Zougla.gr.
Lini një Përgjigje