TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Prill 2024, 11:00

Dokumenti sekret: Si Kremlini planifikon ta dobësojë Perëndimin

Shkruar nga Renato Caputo
Dokumenti sekret: Si Kremlini planifikon ta dobësojë Perëndimin
Vladimir Putin /

Ngërçi i gjatë politik, që muajt e fundit kishte bllokuar votimin në Kongresin e SHBA-së të paketës së re të ndihmës ushtarake për Ukrainë, ia ka bërë më të lehtë Rusisë që të sfidojë rolin global të Uashingtonit...

Sipas një dokumenti sekret të Ministrisë së Jashtme ruse, Moska po harton plane për të provuar dobësimin e kundërshtarëve të saj perëndimorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Po ashtu ajo synon ta shfrytëzojë luftën në Ukrainë për të krijuar një rend global të lirë nga ajo që e sheh si dominim i Amerikës.

Në një shtojcë konfidenciale të zbuluar së fundmi në “Konceptin e Politikës së Jashtme të Federatës Ruse” dhe të miratuar nga Vladimir Putin më 31 mars 2023, bëhet thirrje për një “fushatë informative sulmuese” dhe masa të tjera që përfshijnë ato “politiko-ushtarake, ekonomike, tregtare dhe psikologjia e informacionit” kundër “koalicionit të vendeve armiqësore” të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Ne duhet të vazhdojmë që ta përshtatim qasjen tonë ndaj marrëdhënieve me shtetet armiqësore”, thuhet në dokument. “Është e rëndësishme që të krijohet një mekanizëm për të identifikuar pikat e cenueshme të politikave të tyre të jashtme dhe të brendshme me synim zhvillimin e masave konkrete për të dobësuar kundërshtarët e Rusisë “- theksohet më tej.

Këtë qasje duhet ta kenë parasysh të gjithë ata që bëjnë thirrje për një dialog me Kremlinin. Dokumenti ofron për herë të parë një konfirmim zyrtar të asaj që shumë njerëz në elitën e Moskës e kanë quajtur prej kohësh si një luftë hibride të Rusisë kundër Perëndimit.

Rusia po përpiqet të përmbysë mbështetjen perëndimore për Ukrainën, dhe të futë në kaos  politikën e brendshme të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane përmes fushatave propagandistike që mbështesin politikat izolacioniste dhe ekstremiste.

Po ashtu, Moska po përpiqet që të ri-formësojë gjeopolitikën, duke u afruar me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut në një përpjekje për të ndryshuar ekuilibrin aktual të fuqisë. “Koncepti i politikës së jashtme të Federatës Ruse”, i publikuar në mars të vitit të kaluar, përdor një gjuhë të butë diplomatike.

Ai bën thirrje për “demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare”, “barazi sovrane” dhe për forcimin e pozicionit të Rusisë në skenën globale, duke shkuar aq larg për të pretenduar se “Rusia nuk e konsideron veten armike të Perëndimit dhe nuk ka qëllime të këqija ndaj tij”. Rusia - thuhej ndër të tjera në dokumentin e bërë publik - shpreson se Perëndimi “do ta kuptojë mungesën e së ardhmes të politikës së tij konfliktuale dhe ambicieve hegjemoniste, dhe do të pranojë realitetet e ndërlikuara të një bote shumë-polare”.

Tani që është e mundur të lexohet edhe shtojca - që sipas Moskës duhet të kishte mbetur sekret - nga e cila mund të shihet se Ministria e Jashtme ruse, duke përdorur një gjuhë shumë më të ashpër dhe më të sinqertë në krahasim me dokumentin tjetër, deklaron direkt se rezultati i luftës së Rusisë në Ukrainë “do të përcaktojë në masë të madhe konturet e rendit të ardhshëm botëror”.

Një tregues i qartë është se Moska e sheh rezultatin e pushtimit të saj si të lidhur pazgjidhshmërisht me aftësitë e saj për ta imponuar vullnetin e saj në nivel global. Për më tepër, vetoja e fundit e Rusisë kundër zgjatjes së monitorimit të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Koresë së Veriut për shkak të programin e kësaj të fundit mbi armët bërthamore dhe raketat balistike, duke i dhënë fund bashkëpunimit 14-vjeçar, ishte një sinjal i qartë se është duke u zbatuar plani i përshkrua në shtojcën tashmë të klasifikuar.

Dokumenti sekret: Si Kremlini planifikon ta dobësojë Perëndimin

Dokumenti i Moskës sugjeron gjithashtu edhe ndezjen e konfliktit SHBA-Kinë për çështjen e Tajvanit, me synim afrimin e mëtejshëm të Rusisë me Kinës, si dhe “përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe përreth Izraelit, Iranit dhe Sirisë për të shpërqendruar SHBA-në”.

Gjatë 2 viteve të fundit, Rusia e ka zgjeruar fushatën e saj të propagandës dhe ndikimit, në përpjekje për të dobësuar mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën. Në këtë kontekst, ajo ka synuar të krijojë një ndarje të re globale.

Sigurisht, përpjekjet e propagandës ruse kundër Perëndimit kanë jehonë në shumë vende të Lindjes së Mesme, Afrikës , Amerikës Latine dhe Azisë. Për Mikhail Khodorkovsky, një nga mërgimtarët rusë më kritikues ndaj Putinit, nuk është për t’u habitur që Rusia po përpiqet të bëjë gjithçka që mundet për të dobësuar Shtetet e Bashkuara.

“Është absolutisht e natyrshme që Vladimir Putin të përpiqet të krijojë sa më shumë probleme që të jetë e mundur për Shtetet e Bashkuara. Synimi është eliminimi nga loja i Shteteve të Bashkuara dhe më pas shkatërrimi i NATO-s. Kjo nuk do të thotë të synohet shpërbërja e saj, por krijimi i ndjenjës tek njerëzit se NATO nuk po i mbron ata”- thekson ish-manjati rus i naftës.

Ngërçi i gjatë politik, që muajt e fundit kishte bllokuar votimin në Kongresin e SHBA-së të paketës së re të ndihmës ushtarake për Ukrainë, ia ka bërë më të lehtë Rusisë që të sfidojë rolin global të Uashingtonit.

Për Khodorkovskin, ata amerikanë që besojnë se duke mos marrë pjesë drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë, çdo humbje nuk do të ishte humbje e tyre, e kanë gabim. Një disfatë për Ukrainën, thotë ai “do të thotë se shumë vende armike, nuk do të kenë më frikë të sfidojnë SHBA-në, dhe kostot për Amerikën vetëm sa do të rriten”.

Për fatin e keq të Moskës, të shtunën e kaluar, Kongresi e miratoi paketën e ndihmës prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën me një votim 311 pro dhe 112 kundër, duke arritur të kapërcejë disa muaj mosmarrëveshjesh të brendshme./ Përshtati Pamfleti nga “Opinione.it”

Shënim: Renato Caputo, profesor universitar i të drejtës ndërkombëtare dhe i rregulloreve të sigurisë.

dokumenti sekret rus putini perëndimi

Lini një Përgjigje