
Terrorizmi sot: Një reflektim në kohë...
Më 7 janar 2015, pra 10 vjet më parë, një sulm terrorist goditi redaksinë e Charlie Hebdo në Paris, duke lënë pas një masakër me 13 të vrarë. Dy sulmuesit, të veshur me të zeza, hynë në zyrat e revistës satirike, duke hapur zjarr në shenjë hakmarrjeje për karikaturat e profetit Muhamedit.
Sulmi, i marrë përsipër nga dega jemenase e Al-Kaedës (Ansar Al-Sharia), është pjesë e një liste të gjatë sulmesh terroriste që goditën Evropën pas vitit 2001. Ngjarje të tilla si ato në Madrid në vitin 2004, Londër në 2005-ën dhe Bruksel në vitin 2014 janë pjesë e këtij rizgjimi tragjik të xhihadizimit.
Të tilla kanë qenë edhe shumë të tjera që kanë pasuar në 10 vitet e fundit: nga Nice dhe Berlini në 2016 në Brokstedt dhe Magdeburg në Gjermani në vitet 2023 dhe 2024 dhe së fundmi në Itali. Pas sulmit në Charlie Hebdo dhe vrasjes së policit Ahmed Merabet, dy terroristët xhihadistë, vëllezërit Saïd dhe Cherif Kouachi, u larguan duke u fshehur në pyjet në veri të vendit.
Ata u eleminuan më 9 janar, pasi u identifikuan nga forcat policore dhe ushtarake. Në të njëjtën ditë, Amedy Coulibaly, një bashkëpunëtor i vëllezërve Kouachi dhe i lidhur me Shtetin Islamik, pasi vrau një punonjëse policie një ditë më parë, hyri në një supermarket hebre në Paris, ku masakroi 4 nga pengjet, përpara se të eliminohej nga policia.
Më vonë u zbulua se sulmi ishte pjesë e një plani më të madh, teksa bashkëpunëtorët e tjerë u arratisën në Siri. Më 11 janar 2015, miliona njerëz dolën në rrugët e Parisit për të demonstruar solidaritet. Ishte një marshim në mbrojtje të lirisë së shprehjes, ku morën pjesë liderë botërorë dhe përfaqësues të kombeve të ndryshme.
Disa ditë më vonë, numri i ri i Charlie Hebdo, i shkruar nga të mbijetuarit e masakrës, u shpërnda në miliona kopje në mbarë botën, duke nënvizuar rëndësinë e lirisë së shtypit. Sulmi i 7 janarit 2015, një ngjarje që shkaktoi valën e re të terrorizmit në Evropë, ishte një akt i natyrës politike, dhe shënoi fillimin e një sërë sulmesh që do të tronditnin Francën (dhe Evropën) në muajt në vijim.
Në vitin 2020, gjyqi për sulmin ndaj Charlie Hebdo përfundoi me 14 dënime, duke shënuar një hap të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit. Një gjyq i mëtejshëm, çoi vitin e kaluar në dënimin e Peter Cherif, i lidhur me Al-Kaidën në Gadishullin Arabik (AQAP) dhe i akuzuar si “arkitekti” i sulmit. Dhjetë vjet më vonë, Charlie Hebdo mbetet një simbol i lirisë së shprehjes dhe rezistencës ndaj kërcënimeve dhe dhunës.
Terrorizmi sot: Një reflektim në kohë
Terrorizmi xhihadist imponohet si një kërcënim ideologjik i përhapur, i lidhur me dinamikën historike, konfliktuale të marrëdhënieve dhe konkurrencës ndërkombëtare në Lindjen e Mesme, Afrikë, si dhe me dhunën që buron nga interpretimi radikal i Islamit.
Kjo dinamikë konfliktuale, shoqërohet gjithnjë e më shumë sot me kërkimin e identitetit të grupeve dhe individëve nëpërmjet kundërshtimit kulturor të një komponenti jo të vogël emigrantësh të gjeneratës së dytë dhe të tretë magrebianë në Evropë.
Këta shoqërohen me një komponent në rritje emigrantësh të gjeneratës së parë, të ardhur shpesh në Evropë kohët e fundit. Dhe jemi duke folur për një galaktikë xhihadiste të fragmentuar, të karakterizuar nga ideologji dhe qasje praktike të ndryshme.
Aq sa të nxisë një reflektim mbi konceptin e terrorizmit bashkëkohor, i cili po na imponohet si një fenomen social shumë i ndryshëm nga terrorizmat që i paraprinë, duka na ftuar tek një ndryshim i paradigmës mbi vetë përkufizimin e terrorizmit.
Tani terrorizmi nuk shihet më si një veprim që synon arritjen e rezultateve politike nëpërmjet dhunës, por më tepër kuptohet si një efekt i dhunës së përdorur. Pra ja se si terrorizmi bëhet një shfaqje dhune, pa një organizatë nga prapa.
Brenda vetë xhihadizimit, terrorizmi imponohet si një instrument lufte, dhe e bën këtë me shkallë dhe modele të ndryshme dhune: nga dhuna individuale tek ajo e organizuar, deri tek dhuna e frymëzuar, dhe madje tek terrorizmi kryengritës që ne e njohim mirë në Afganistan në Irak.
Dhe pjesërisht po e shohim tek demonstratat e saj në Rripin e Gazës, ku ushtria izraelite përballet me Hamasin, dhe sërish në Sirinë pas rrëzimit të Bashar Al-Assad nga islamikë radikalë të Hay’at Tahrir Al-Sham.
Dhe është pikërisht përvoja afgane, të cilën unë e kam vëzhguar nga afër për shumë vite, së cilës i është shtuar edhe dhuna që buron nga thirrja e Hamasit për të goditur Izraelin dhe aleatët e tij, ajo që ka luajtur një rol vendimtar në rifillimin e terrorizmit të frymëzuar dhe që kopjon të tjetët dhe bazohet në zemërimin e përcjellë përmes strategjisë së komunikimit të Hamasit.
Ashtu si edhe të Shtetit Islamik dhe Al-Kaidës që gjen tek disa pakica ideologjike perëndimore një jehonë që mbivendos axhendat e dhunshme terroriste të Hamasit ndaj kërkesave palestineze për të pasur një shtet të tyrin.
Këtyre elementëve u shtohet entuziazmi i galaktikës xhihadiste pas fitores së islamistëve në Siri, të cilët kanë arritur të maskohen mirë nga sytë e Perëndimit nëpërmjet oportunizmit pragmatik./Përshtati Pamfleti nga “Formiche.net”
Lini një Përgjigje