Deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka denoncuar sot propagandën sipas saj me ministren virtuale “Diella”, duke theksuar se realiteti është krejt i kundërt nga ajo që shfaq Rama.
Sipas saj, platforma e blerjeve të përqendruara ka treguar mungesë totale transparence.
“Në faqen e prokurimeve publike, dokumentet janë bosh për çdo vit. Nuk ka asnjë informacion për sektorin më të korruptuar, tenderët, koncesionet dhe prokurimet publike,” u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi se qytetarët po paguajnë dy herë koston e korrupsionit: një herë për paratë që vidhen nga zyrtarët dhe herën e dytë për mungesën e transparencës që rrit vlerën e kontratave shumë mbi realitetin.
“Kostoja e këtij sistemi jo transparent rëndon direkt në xhepat e shqiptarëve, ndërkohë që qeveria shpenzon miliona për propagandën e avatarëve digjitalë,” tha deputetja demokrate.
Tabaku paralajmëroi se ky model nuk do të ndryshojë për katër vitet e ardhshme nëse nuk ndërtohet një sistem i drejtë që lejon konkurrencë të vërtetë.
“Korrupsioni nuk luftohet me propagandë, por me institucione të forta dhe rregulla që garantojnë barazi loje,” nënvizoi ajo.
Lini një Përgjigje