TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Prill 2025, 17:39

Celibashi në shërbim të Rilindjes, 'hesht' përballë krimit zgjedhor

Shkruar nga Pamfleti

 

Celibashi në shërbim të Rilindjes, 'hesht'
Ilirjan Celibashi /

Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, vijon të sillet dhe veprojë sikur ende është ministër dhe militant i qeverisë së "Rilindjes", duke marrë urdhra direkt nga Babloku.

Celibashi nuk po kallëzon në Prokurori dhe SPAK krimet zgjedhore, duke shpërfillur marrëveshjen që vetë ka nënshkruar.

Krimi zgjedhor është shfaqur hapur në çdo formë, manovër dhe me mjete administrative, financiare e materiale, duke u raportuar vazhdimisht nga partitë, koalicionet dhe kandidatët për deputetë. Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk reagon, duke dhënë përshtypjen se gjithçka po shkon mirë.

Mosveprimi i kryetarit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, përbën një shpërfillje flagrante ndaj Protokoll-Marrëveshjes së 27 shkurtit me drejtuesin e SPAK-ut Altin Dumani dhe Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela, për shkëmbimin e menjëhershëm të informacionit mbi krimet zgjedhore gjatë fushatës elektorale të 11 majit.

Sipas informacioneve që disponojmë, në KQZ janë depozituar denoncime nga partitë politike, koalicionet dhe kandidatët, për shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor dhe Kodit Penal në prag të zgjedhjeve, duke synuar blerjen e votës me premtime dhe përfitime materiale.

Shumica e denoncimeve janë bërë kundër strukturave të Partisë Socialiste që ka pushtetin dhe ndaj bashkive e kandidatëve të saj për deputetë, prej të cilëve mbi 60% janë ministra, deputetë dhe drejtorë aktivë që kontrollojnë punësimet, urdhrat administrativë dhe asetet qeveritare.

Janë denoncuar raste të shpërndarjes së thasëve me miell, punësimeve në administratën qendrore dhe lokale, ndarjes së tapive të legalizimeve, njohjes e kompensimit të pronave, dhënies së lejeve të ndërtimit, certifikatave të pronësisë, madje edhe dhënies së pakove ushqimore nga bashkitë e Sarandës, Vlorës, Gjirokastrës, Tepelenës, Pogradecit, Lushnjës, Durrësit, Elbasanit, Matit, Bulqizës dhe Dibrës.

Për shembull, kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla, po premton përsëri faljen e faturave të ujit dhe energjisë elektrike, ndonëse vetëm një muaj më parë u dënua me 1 vit burg për të njëjtën skemë gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2023.

Në Bashkinë Mat, ish-kryetari Agron Malaj, aktualisht kryetar i PS-së lokale dhe kandidat për deputet, është denoncuar nga kandidati i PD-së për shpërndarje falas të thasëve me miell në zonat rurale.

Po ashtu, në Elbasan, kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, në bashkëpunim me kandidatët socialistë për deputetë dhe drejtuesit e Kadastrës, Ujësjellësit dhe OSHEE-së rajonale, po premtojnë legalizime, certifikata pronësie dhe faljen e faturave të ujit dhe energjisë elektrike.

Megjithatë, kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, edhe pse ka marrë këto denoncime, nuk i përcjell ato në Prokurori dhe SPAK, siç e ka detyrimin sipas marrëveshjes së nënshkruar me Altin Dumanin dhe Olsian Çelën.

Edhe në mungesë të një marrëveshjeje institucionale, Kodi Zgjedhor dhe Kodi i Procedurës Penale e detyrojnë Celibashin të kallëzojë penalisht çdo krim zgjedhor dhe jo të heshtë.

Por Celibashi vazhdon të sillet si militant politik, duke u bërë shkak që kandidatët për deputetë t’i bëjnë vetë kallëzimet në SPAK, të cilat, fatmirësisht, SPAK-u po i pranon./Pamfleti

celibashi rilindja

Lini një Përgjigje