TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Janar 2026, 10:49

Brukseli i nxjerr 'kartonin e kuq' qeverisë Rama: Dosjet po mbytin drejtësinë, mungojnë gjyqtarët dhe prokurorët

Shkruar nga Pamfleti

Brukseli thotë se Shqipërisë i duhen më shumë gjyqtarë, prokurorë dhe asistentë ligjorë, për drejtësi më efikase, në mënyrë që të afrohet me standartin europian.

Brukseli i nxjerr 'kartonin e kuq' qeverisë Rama: Dosjet po
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato

Reforma në Drejtësi mbetet një nga sfidat kryesore të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Në një konferencë për mediat të mbajtur sot, më 12 janar, Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, vuri theksin te problematikat që vijojnë të shoqërojnë sistemin e drejtësisë, duke nënvizuar mungesën e gjyqtarëve, prokurorëve dhe asistentëve ligjorë.

Sipas tij, ngarkesa e lartë e çështjeve dhe vendet bosh në institucionet e drejtësisë po ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe efikasitetin e vendimmarrjes, ndërsa kërkoi masa të shpejta për plotësimin e tyre dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.

“Viti që kemi përpara ëshë një vit i rëndësishëm për drejtësinë. Drejtësia është shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Ne do mbështesim gjithmonë drejtësinë në Shqipëri. Gjykatësit kanë një numër të lartë çështjesh dhe e di se kjo është e vështirë të prodhojë cilësi.

Na duhen më shumë gjyqtarë e prokurorë, të mbështetur nga asistentë ligjorë. Të gjitha vendet bosh duhet të plotësohen. Nuk kemi kohë për të humbur. Këshilltarët ligjorë janë tepër të rëndësishëm që drejtësia të jetë më cilësore. Kjo është thelbësore për reformën në drejtësi.”, tha Gonzato.

Gonzato deklaroi gjthashtu se duhet garanci për qytetarët e vendeve të BE që duan të investojnë në Shqipëri.

“Në të ardhmen e afërt qytetarët e BE mund të duan të krijojnë biznese në Shqipëri, mund të duan të blejnë tokë në Shqipëri, ata presin që Shqipëria të ofrojë garanci si çdo shtet anëtar i BE. Kjo do të thotë se ju duhet të jeni të familjarizuar me rregullat e BE. Kjo përben një sfidë shtesë në një situatë të vështirë dhe komplekse. Kështu që projekti ynë BE për drejtësinë do të angazhohet me ju për këto çështje”.

Po në këtë konferencë, më herët foli edhe kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi.

Gjatë fjalës së tij, Sadushi u shpreh se shpejtësia pa koherencë dhe pa arsyetim të qëndrueshëm përbën rrezik për sigurinë juridike dhe besimin e publikut.

Sadushi tha se cilësia e drejtësisë matet edhe me forcën e arsyetimit, qartësinë dhe parashikueshmërinë e vendimmarrjes.

"Cilësia e drejtësisë nuk matet vetëm me shpejtësinë e gjykimit apo uljen e ngarkesës së çështjeve, por mbi të gjitha me forcën e arsyetimit, qartësinë dhe me parashikueshmërinë e vendimmarrjes. Shpejtësia është e rëndësishme, por shpejtësia pa arsyetim dhe pa koherencë kthehet në rrezik për sigurinë juridike. Ngarkesa dhe prapambetja janë realitete që nuk i shmangim lehtë. Megjithatë, drejtësia nuk mund të matet vetëm me numra. Treguesit statistikorë janë të dobishëm, por prova kryesore mbetet vendimi i arsyetuar, i kuptueshëm dhe i zbatueshëm.", theksoi ai.

drejtësia në shqipëri

1 Komente

  1. A
    Amelia

    E keqja eshte qe si shpejtesia dhe cilesia jane ne nivelin me te keq te mundshem. Arsyetimi i vendimeve vec faktit qe eshte mbi 20 flete ne brendesi nuk ka as cilesi as analize provash e faktesh as analize dhe mbeshtetje ligjore. E lexon nuk e kupton dhe me raste as e ekzekuton dot. Ndoshta ky nivel i pelqen baballareve Sadushi

    Lini një Përgjigje