
Kryeministri Rama, pas mbylljes së Asamblesë Kombëtare të PS-së ka folur lidhur me vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken në Tiranë.
Ai tha se fakti që diplomati amerikan zgjodhi të vizitojë kryeqytetin shqiptar, tregon se çfarë rëndësie ka Shqipëria për aleatët ndërkombëtarë por gjithashtu edhe për rajonin.
“Besoj se ardhja e sekretarit të shtetit në Tiranë ka domethënie të veçantë për kontekstin në të cilën sot ndodhet Europa e bota. Për kohën shumë të ngarkuar të një sekretari shteti. Fakti që gjen të nevojshme vendos në axhendën e tij të ndalet në kryeqytetin shqiptar si pikë referimi për rajonin tregon në mënyrë të posaçme se ku e kemi ngritur Shqipërinë në arenën ndërkombëtarë dhe çfarë përfaqëson sot Shqipëria në rajon. Me krenari e them që Shqipëria është forca e shembullit për të ndërtuar paqen dhe të ardhmen e përbashkët dhe për tu ndarë nga një e kaluar e mbushur me tragjedi e prapambetje e raste të pafundme të humbura për ti lënë një vend më të mirë gjeneratave të tjera”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.
Ndërsa i pyetur nëse ka ndonjë domethënie që vizita e tij do të jetë në të njëjtën ditë që pritet të jepet vendimi për çështjen ‘McGonigal’, Rama ka refuzuar të përgjigjet dhe ka zgjedhur të ironizojë duke qeshur dhe duke thënë: Mirupafshim!
Lini një Përgjigje