Lali nuk është më risia politike e Partisë Socialiste...
Emërimi i befasishëm i Blendi Goxhës në krye të një superministrie që mban brenda tre dikasterë të vjetër, nuk duket kaq i rastësishëm. Njerëzit brenda PS-së i kanë ndjerë që prej një viti shenjat e kësaj manovre.
Pikërisht, përpara zgjedhjeve të 14 majit të vitit të shkuar, në mënyrë të rrufeshme, drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhe ka marrë teserën e Partisë Socialiste. E me porosi të veçantë të Edi Ramës, i vihet në patronazh zona e Kombinatit në Tiranë. Një zonë super e rëndësishme për ekuilibrat politikë brenda mazhorancës. E njohur si zona e Saimir Tahirit, në zgjedhjet e 2021-shit ajo u mor në dorë nga Belinda Balluku, çka solli një përplasje të fortë mes numrit dy të qeverisë dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. I cili më pas arriti të lërgojë “shtrigën” e Ramës nga kombinati e ta dërgojë si kreu i qarkut Dibër. I “dehur” nga fuqia e marrë si kreu fuqiplotë politik i Tiranës, emëroi në kombinat një nga drejtorët e tij të afërt në bashki.
Por në prag të 14 majit, Edi Rama, pa e pyetur fare Lalin, i komunikon se në kombinat njeriu i Partisë Socialiste do të jetë Blendi Goxhe. I cili ishte anëtarësuar në parti, pa dijeninë e kreut politik të Tiranës, apo të shefes së tij direkte në ministri, Belinda Ballukut.
Kryeministri i kërkoi Veliajt që të mos bëjë asnjë zhurmë në lidhje me emërimin e Gonxhes në kombinat, përndryshe çdo rrjedhje lajmesh do të ishte përgjegjësi direkte e tij.
E ja ku jemi sot, kur Edi Rama, jo vetëm e ka promovuar Gonxhen si një superministër i qeverisë, por e ka shpallur qartësisht një “reformator”.
Një lëvizje politike që vjen direkt pas një fiaskoje të Veliajt në qarkun Tiranë, ku humbi Kavajën e shkaktoi probleme në Rrogozhinë. Shto këtu problemet e hetimeve mbi inceneratorët, Lali nuk është më risia politike e Partisë Socialiste.
E këtu Rama ka treguar se plani i tij kur ka marrë PS-në ka qenë i detajuar, madje edhe me njerëzit përkatës që ka pasur që kur është zgjedhur ministër i Kulturës dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ku Blendi Gonxhe ka qenë njëriu kryesor pranë tij, apo siç quhet ndryshe krahu i djathtë.
Me një qetësi perfide, Rama e çoi Blendi Gonxhen sa në bashkinë e Tiranës, ku drejtoi gjelbërimin me Lali Erin, sa në Drejtorinë e Automjeteve nën autoritetin e Belinda Ballukut.
E sot e sjell në qeveri, duke i dhënë një autoritet politik të lartë, që nuk është tjetër veçse paradhoma e ngjitjes në krye të Partisë Socialiste.
Po cili do të jetë funksioni i Gonxhes në të ardhmen? Sipas të gjitha gjasat për të qenë gati për një trampolinë shumë të madhe. Ose i gatshëm në ndonjë aksident të mundshëm për kryebashkiak i Tiranës, ose sipas të gjitha mundësive, numri dy i Partisë Socialiste. Në mos pasardhës, Blendi Goxhe tani mund të konsiderohet krahu real i djathtë i Edi Ramës në mazhorancën socialiste.
Ndërkaq, nuk ka dyshim që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, Gonxhe do të drejtojë listën socialiste në kryeqytet, duke qenë edhe kreu politik i qarkut.
Blendi Gonxhe, gjatë kohës që ka qenë krahu i djathtë i Edi Ramës në bashkinë e Tiranës, mori nofkën “Mon Kukaleshi” i bashkisë, me nënkuptimin se ai merr lekët e çdo punë publike atje. Ndërkaq, me hapjen e portave të liqenit artifificial, çka mbyti të gjithë zonën pranë liqenit dhe e ktheu atë në një shesh ndërtimi, u largua për disa vite në Spanjë. Nga frika e një hetimi ndaj tij prej Prokurorisë së Përgjithshme. U tha se iku e jetoi në Barcelonë, ku pati mjaft fjalë se ka investuar atje në ndërtime. U rikthye në vitin 2011 në Tiranë, duke mbajtur një profil të ulët, e ku u mor me biznes. Zyrtarisht menaxhoi një nga kompanitë më të mëdha të makinave me qira që punonin me delegacionet qeveritare, por u tha se kishte edhe një kompani të transportit publik që menaxhonte disa linja urbane në Tiranë. Për disa vite hapi edhe një gazetë që ishte pranë së majtës për të pasur lobim, por më pas e mbylli dhe mbajti një profil të ulët. Ku për 10 vjet nuk u angazhua direkt në politikë. Për të ardhur sot, që sipas gjasave ky është akti politik që do të shkaktojë një luftë të vërtetë brenda klaneve në PS. Por kjo i takon shkrimeve të tjera. /Pamfleti
Lini një Përgjigje