TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Tetor 2024, 13:45

Bie pakti para zgjedhjeve, Berisha mesazh të kriptuar Ilir Metës në burg

Shkruar nga Pamfleti
Bie pakti para zgjedhjeve, Berisha mesazh të kriptuar Ilir Metës
Ilir Meta dhe Sali Berisha

Me një situatë katastrofike opozitare ku Ilir Meta është i kyçur në qeli ndërsa Sali Berisha në shtëpi dhe zgjedhjet janë vetëm 6 muaj larg, ky i fundit shfrytëzoi një pyetje të gazetarëve për ti çuar Ilir Metës një mesazh të kriptuar në qelinë e burgut. 

“Do e ndihmoni Metën duke i siguruar lista të sigurta për kandidatët në zgjedhje?”, u pyet Berisha në një konferencë për mediat.

Berisha e la të hapur mundësinë e përfshirjes së kandidatëve të Partisë së Lirisë në listat e Partisë Demokratike, por nuk dha një “po” definitive, apo edhe simbolike qoftë.

“Çështja e koalicionit është e hapur. PD qëndron e hapur ndaj aleatëve të vet. Meta është i burgosur politik”, theksoi Berisha. 

Në pamje të parë, kjo përgjigje ngjan me stilin e politikanit që përgjigjet duke mos thënë asgjë. 

Por në kontekstin politik të momentit, kjo përgjigje e Berishës nuk është pa përgjigje. 

Dhe Ilir Meta e di këtë. Kjo deklaratë e Berishës për të është si një sfidë që kujton se negociatat për listat sapo kanë filluar sepse status kuo-ja ndryshoi. Marrëveshja e dyshuar si e arritur më parë për një listë të përbashkët PD-PL ka rënë. 

Pas mesazhit, Berisha rinisi refrenin e javës së fundit me akuza ndaj qeverisë.

Berisha u pyet edhe për protestën e së martës të opozitës, e cila pritet të paralizojë qarkullimin në vend.

Ai tha se kjo protestë nuk do t’i kthehet në bumerang opozitës pasi po luftohet pikërisht për të drejtat e çdo qytetari.

"Po luftojmë për të drejtat, dinjitetin dhe lirinë e çdo qytetari që beson te vota e lirë dhe funksionimi i ligjit e Kushtetutës," deklaroi Berisha.

Sipas tij, Shqipëria pa opozitë është një katastrofë, ndërsa qeverinë e Edi Ramës e cilësoi si një regjim të urryer antishqiptar.

ilir meta dhe sali berisha

Lini një Përgjigje