Qendrimet e ditëve të fundit të Ramës po shërbejnë si ushqim për Berishën, i cili po forcon alibinë se drejtësia është e kapur dhe akuzat ndaj tij janë politike....
Zhvillimet e fundit në arenën e SPAK duket se kanë bërë politikën të lëvizë. Akuzat ndaj Berishës dhe arrestimi i Jamarbër Malltezit i kanë shqetësuar të gjithë. Si majtas ashtu dhe djathtas janë të shumtë ata që nuk e bëjnë gjumin të qetë, pasi e dinë se nuk do të jetë e largët dita e përballjes me drejtësinë.
Megjithatë, ditët e fundit janë vënë re disa lëvizje të dyshimta të Sali Berishës nga njëra anë dhe të Edi Ramës nga krahu tjetër. Berisha po sfidon hapur gjyqësorin dhe ja ka dalë për afro 3 javë të mos njihet me aktet e gjykatës.
Që ditën kur ju komunikua akuza, Berisha doli e tha se procesi është politik dhe i dirigjuar nga Edi Rama. Që nga ai moment, nuk ka lënë ditë pa dalë në media duke i mëshuar këtij fakti. Në radhët e mazhorancës, deputetët morën udhëzim që të mos komentonin aksionin e SPAK, por pak ditë më pas doli në skenë kryeministri Rama.
Në fillim të vitit ishte ai që i bënte presion SPAK-ut të shkonte te Meta e Berisha, por pasi i tërhoqën veshin amerikanët, u tërhoq nga retorika. Mirëpo tani ka dalë me një teori të re. Rama mburret se e ka bërë ai reformën në drejtësi dhe jo SHBA. Madje dje shkoi më larg, duke thënë se SPAK u ngrit nga PS.
“SPAK nuk erdhi as nga SHBA as nga BE, por erdhi nga ajo nevojë e shoqërisë shqiptare për drejtësi që e mori përsipër PS. Patjetër kjo reformë nuk do bëhej dot nëse nuk do kishim mbështetjen e aleatëve. Por ama SHBA e BE kanë qenë në Shqipëri që më 1991 dhe nuk e bënë”, tha Rama në Dibër.
Po ashtu të martën doli në një emision ku foli për aferën me kompleksin “Partizani”, ku pranoi se ai ka firmosur për destinacionin, por u justifikua se nuk bëhet fjalë për vendin ku firmosi Malltezi.
Por qendrimet e tij duket se bëjnë vetëm një gjë: Çojnë ujë te mulliri i Berishës. Vetë ish-kryeministri dhe mediat pranë tij janë hedhur menjëherë në sulm duke u justifikuar se drejtësinë e ka bërë PS dhe akuzat janë politike. “I deleguari i tij u kap në pazare vote dhe në vend të vihej para drejtësisë, u vu në krye të saj'/ Rama thotë të vërtetën në Peshkopi: Drejtësinë e ka partia jonë, ajo e bëri”; “Hetimet e SPAK/ Porosia e re e Edi Ramës për Altin Dumanin”. Këta janë disa nga titujt e mediave pranë Berishës. Po ashtu vetë ish-kryeministri ka vendosur të bëjë të ashtuquajturin “gjyq publik”, duke deklaruar në media se vetë Rama e ka pranuar se e ka kapur drejtësinë. Çdo ditë Berisha del e komenton qendrimet e Ramës. Ashtu bëri dhe sot.
Dhe sikur të mos mjaftojnë daljet në mbrëmje qytet më qytet, Rama po hedh në rrjetet sociale fragmente deklaratash ku thekson se e ka bërë ai reformën në gjyqësor.
Pra duket sikur Kryeministri i jep argument Berishës që të refuzojë drejtësinë dhe të fusë në kaos vendin. Strategji apo “aleancë fluide”, këtë nuk e dimë dot, por duket sikur Kryeministri po i fryn flakës së ndezur nga Berisha.
Ajo që dimë është se ajo reformë u bë me bekimin e SHBA. Amerikanët ishin ata që ngritën SPAK. Ishin ata që hartuan draftin dhe po ata që kanë dhënë paratë dhe pajisjet speciale që përdoren nga Prokurorët dhe BKH. Janë ata që kanë të dërguarin e tyre aty dhe është ai që asiston në hetime. Mos vallë kjo është arsyeja e vërtetë e qendrimeve të Ramës. Ai e di se do afrojë dita dhe për të... dhe mos po i shkel syrin nga distanca Berishës për të futur në kaos vendin, me shpresën se do t'ja hedhin të gjithë? /Pamfleti
Lini një Përgjigje