
Pas rrëzimit të kërkesës për liri nga Gjykata Kushtetuese, ish-kryeministri Berisha ka bërë një tjetër kërkesë duke kundërshtuar masën e sigurisë "arrest shtëpie".
Gjykata e Lartë ka regjistruar një tjetër kërkesë të kreut të opozitës Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi lidhur me kundërshtimin e masave të sigurisë.
Regjistrimi i rekursit është bërë më datën 21 nëntor dhe gjyqtar relator do të jetë Sokol Binaj, por ndërkohë ende nuk ka një vendim për datën dhe orën e seancës.
Berisha kundërshton masën e “arrestit në shtëpi” caktuar nga Gjykata e Posaçme më 30 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa kërkesa në Gjykatën e Lartë ka të bëjë me vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 18 qershor, që la të pandryshuar masën.
Kërkesa për revokimin e masës është bërë shoqëruar kërkesës për informacionin dy mujor të organit të Prokurorisë së Posaçme. Ky rekurs vjen në kohën kur Gjykata Kushtetuese e konsideroi si antikushtetuese masën e ndalimit të daljes jashtë vendit për Berishën, por jo atë të detyrimit për tu paraqitur.
Ndërkohë, Kushtetuesja sqaroi se lidhur me masën e arrestit të shtëpisë, do të shprehet në një moment të dytë. Të hënën e 25 nëntorit, GJKKO do të shqyrtojë në seancë paraprake kërkesën e SPAK për kalimin për gjykim ose jo të dosjes “Partizani”.
Lini një Përgjigje