
Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë sot në Durrës për prezantimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Igli Cara për këtë bashki.
Berisha tha se Igli Cara të gjitha potencialet e mëdha të këtij rrethi të bekuar do t’i shndërrojë në shërbime për qytetarët e tij.
Sipas tij, më 14 maj në një mision historik durrsakët me Igli Carën në krye do rivendosin në Durrës pluralizmin e do i thonë ndal së keqes duke i ftuar të votojnë ndryshimin.
“Një fjalë e urtë popullore thotë, e keqja nuk ka fund, nuk ka të vërtetë më të hidhur se sa kjo. E keqja nuk ka fund vetëm atëherë kur burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat e mirë qëndrojnë indiferentë ndaj saj. Kam bindjen se më 14 maj ju do votoni për ndryshimin e Durrësit, ndryshimin e Shqipërisë. Durrsakët të cilët kanë të regjistruar në memorie çdo muaj, çdo vit të kohërave të Durrësit kam bindjen se në memorien e tyre shfaqen si në filma kohërat kur plazhi juaj vlerësohej dhe cilësohej më i bukuri në Evropë. Kjo nuk është një ekzagjerim, por një realitet”, tha Berisha.
Ai foli edhe për atë se çfarë ka ndodhur në 23 vite, ku çdo gjë u betonizu dhe se janë ndërtuar me qindra pallate.
”Çfarë ndodhi në 23 vite? Në 23 vite plazhi pothuajse u asgjësua, bukuria e plazhit të Durrësit u asgjësua, u betonizua. Çfarë ndodhi në 23 vite janë ndërtuar me qindra e qindra pallate. A është ndërtuar një hotel tjetër i dytë si ai që trashëgohet nga diktatura, asnjë. Jo se nuk janë shpenzuar para, por si ka mundësi të mbetet një relikë në kohërat më moderne, në kohërat e një vrulli të këtij qyteti, të mos ketë një të dytë si ai. Babëzia nuk lejoi, sepse duhej të ndërtohej në çdo moment beton”, deklaroi Berisha.
Berisha theksoi se Edi Rama po bën gjithçka t’i largojë shqiptarët nga Shqipëria dhe se të rinjtë durrsakë që mund të ishin të punësuar në turizmin e qytetit të tyre janë larguar në emigracion.
“Më 14 maj të votojmë Igli Carën. Durrësi është një kompleks natyror që mund të vendosej në çdo parajsë tokësore dhe mbitokësore, me brigjet, tokat, kodrinat, nuk ka një bukuri më përrallore se ç’është Durrësi dhe përsëri të rinjtë e Durrësit marrin rrugët e botës. Në vend se të punojnë në industrinë e tyre turistike, shkojnë e shërbejnë në vende të tjera. Po largohen për shkak një politike gjenocidiale. Edi Rama po bën gjithçka t’i largojë shqiptarët nga Shqipëria”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje