
“Tom Doshit në javën e parë do t’i vihet dylli”. Ky ishte paralajmërimi i bërë nga kreu demokrat, Sali Berisha, gjatë takimit me mbështetësit e tij në Kukës, ndërsa po fliste për ilaçet që do të shiten në Shqipëri.
“Me qindra e mijëra shqiptarë kërkojnë ilaçet nga njerëzit e tyre jashtë vendit, ose se nuk kanë mundësi t’i blejnë, ose se ilaçet këtu janë krejtësisht jashtë çdo standardi.
Zotohemi para jush këtu, së pari, Tom Doshit dhe Vilma Nushit, javën e parë u vihet dylli.
3500 tendera fiton në vit Tom Doshi nga Edi Rama dhe e nxjerr Tomën për të blerë vota pastaj. Asnjë votë Tom Doshit, asnjë votë partive të vogla, të ashtuquajtura të reja, të cilat janë paterica të Edi Ramës”, tha Berisha.
Në vijim kreu demokrat tha se “zotohemi 100 ditët e para, çdo pensionisti, çdo njeriu në ndihmë ekonomike, çdo studenti, çdo jetimi, çdo fëmije të tretë dhe të katërt në familje, do t’i vendoset minimumi jetik 200 euro”.
“Në këtë mënyrë ne i japim një goditje përfundimtare varfërisë ekstreme, fshijmë nga harta e Shqipërisë varfërinë ekstreme.
Rrogën minimale, nuk do mund të paguhet kush në Shqipëri nën 500 euro. Rroga mesatare do jetë 1200 euro.
Jo vetëm kaq, rrogë-ulëtit dhe pensionistët do kenë kartën e konsumatorit dhe do marrin të gjitha gjërat bazë 20 përqind më lirë.
Ju garantoj se në 100 ditët e para Këshilli i Ministrave do aprovojë si listë ilaçesh për rimbursim të plotë, atë listë që qeveria italiane u rimburson qytetarëve të vet.
Dhe se në Shqipëri nuk do shitet asnjë ilaç që nuk shitet në të paktën dy vende të BE.
Nuk jemi zengjinë si italianët, por në ilaçe do barazohemi me ta.
Pra, çfarë ndodhi? Ku do i gjejmë ne këto para?
Këto para, mjanë dhe u garantoj ju se janë edhe për më tepër se kaq. Por ne jemi 100 përqind të sigurt për këto që garantojmë.
630 milionë euro ka zhdukur Edi Rama me inceneratorin e Tiranës, me përzënien e Beketit, me avionin e tij në dispozicion, me sterilizimet, me PPP-në e analizave, me checkupin. Që të gjitha këto do u kthehen ju në rroga, pensione, ndihmë ekonomike 200 euro”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje