
Gjykata e Lartë ka caktuar datën 9 prill për zhvillimin e seancës gjyqësore për kërkesën e ish-kryeministrit, Sali Berisha, për liri nga masa e “arrestit në shtëpi”.
Seanca do të mbahet në orën 13:30 të 9 prillit, një Kolegj Penal me relator gjyqtarin Sokol Binaj do të shqyrtojë në Dhomë Këshillimi rekursin e bërë nga ish-kryeministri.
Në Gjykatën e Lartë, Berisha kërkon shfuqizimin e vendimit të Shkallës së Parë dhe Apelit të Posaçëm për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj tij në “arrest në shtëpi”.
Ish-kryeministri ndodhet nën hetim për "korrupsion" për çështjen e privatizimit të ish-klubit Partizani, gjatë kohës kur ai ishte kryeministër.
Dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet gjithashtu në arrest shtëpie, në përfitimin e pronave të truallit.
Pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit refuzoi kërkesën e tij për të marrë pjesë në seancat plenare në Kuvend, në funksion të mandatit të tij të deputetit.
Lini një Përgjigje