Ajo që bie në sy është se Berisha nuk e përmend më fare Ilir Metën. Edhe sot kur foli për protesta, e bëri të qartë se është një lëvizje e tij, ndërsa Meta nuk figuron askund...
Ish-kryeministri Sali Berisha është rikthyer sot te retorika e vjetër, duke u shprehur se do të ketë protesta.
Skandalet në mazhorancë nuk kanë pasur fund, por reagimi opozitar ka qenë minimal. PD është bazuar vetëm te deklaratat, ndërkohë që Partia e Lirisë ka dalë nga qarkullimi. Pas kërkesës për arrestimin e Ahmetajt, Berisha tha sot se do ketë protesta, por pa thënë se kur. Duket qartë më shumë retorikë sesa plan, pasi protestat në verë janë si fije kashte.
“Ne duhet t’u drejtohemi qytetarëve, do u drejtohemi shqiptarëve për të kërkuar largimin e kësaj qeverie me protesta. Kjo është një aferë e tmerrshme. Nuk ka shoqëri, popull që mund të tolerojë këtë aferë”, tha Berisha.
Kur u pyet se kur do të protestohet, Berisha u justifikua se kjo kërkon një vendimmarrje më të gjerë. “Do të konsultohemi me partitë e tjera të opozitës”, tha Berisha. Por partitë e tjera të opozitës nuk është se janë shumë. Partia e Lirisë është partia më e madhe aleate dhe partia e Mediut. Ndërsa disa prej partive të tjera i kanë bërë “naftën” Saliut. Këtu përmendim PDIU.
Ajo që bie në sy është se Berisha nuk e përmend më fare Ilir Metën. Edhe sot kur foli për protesta, e bëri të qartë se është një lëvizje e tij, ndërsa Meta nuk figuron askund.
Që pas zgjedhjeve vendore, kreu i PL duket se është distancuar nga Berisha. Ky i fundit mundohet të reagojë për skandalet e qeverisë, por Ilir Meta ka dalë nga qarkullimi. Ai është mjaftuar me disa reagime në rrjetet sociale, por që kanë qenë shumë të vakta. Madje dhe në një konferencë për mediat në mes të qershorit, doli kundër protestave, duke ja u faturuar qytetarëve përgjegjësinë.
“Opozita do të bëjë gjithçka që duhet, por dhe shoqëria duhet të bëjë gjithçka në mënyrë që të gjithë të jetojnë me dinjitet. Opozita ka bërë protesta. Pa asnjë diskutim që do të bëjë protesta dhe është shumë e rëndësishme që të kuptojmë që shoqëria duhet të reagojë dhe të gjithë duhet të bëjnë zgjedhjen e tyre që të jetojnë si qytetar të lirë, të paintimidueshëm, as nga shefat e administratës ku punojnë. Ky është një proces i përbashkët dhe besoj se do të kemi kohë të gjithë për të reflektuar për këtë proces”, tha Meta.
Sa i takon rastit të Ahmetajt, ish-presidenti dhe gruaja e tij nuk kanë reaguar fare. Pra, teksa Berisha flet për protesta e organizim opozitar, në fakt Meta e ka lënë në baltë. Të njëjtën gjë bëri dhe me “masakrën zgjedhore”. Berisha foli për manipulim zgjedhjesh dhe vjedhje, por Meta nuk foli kurrë për to. Madje, pak ditë më parë, Monika konfirmoi se ata janë duke shijuar pushimet te vila e tyre në Gjirin e Lalëzit.
Pas zgjedhjeve, Saliu e kuptoi se më 14 maj, PL ishte partia e vetme e fituar nga opozita. Meta i mori të gjithë këshilltarët dhe la thatë PD. Tani duket se janë ndërprerë takimet mes tyre, ndërkohë që edhe bashkëpunimi është në nivelin zero. /Pamfleti
Lini një Përgjigje