TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Maj 2025, 12:37

Berisha justifikon disfatën me "trenin bullgar", kërkon qeveri teknike dhe zgjedhje të reja

Shkruar nga Pamfleti

Berisha justifikon disfatën me "trenin bullgar", kërkon

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha denoncoi atë që e konsideron si “treni bullgar” të aplikuar në zgjedhjet e 11 Majit.

Bashkë me drejtuesin politik të Elbasanit, Tomor Alizoti dhe deputetin e ardhshëm të këtij qarku, Blendi Himçi, pretenduan se një rast i tillë ka ndodhur edhe në fshatin Pekisht në Peqin.

Berisha tha se në bar-kafenë e kryeplakun të fshatit, Dervish Beqiri ndodheshin fletë votimi, lista votimi dhe para cash.

“‘Treni bullgar’, që u aplikua gjerësisht në Shqipëri, mbeti në stacionin e Pekishtit. Doli nga shinat dhe mbeti aty.
Pas një informacioni që deputeti i ardhshëm i Elbasanit, Blendi Himçi mori mbrëmë se në fshatin Pekisht, në bar-kafenë e kryeplakut të fshatit Dervish Beqiri, vëzhgues besnik i PS, ndodhen sasi e konsiderueshme materialesh votimi, fletë votimi, lista votimi dhe narko-euro.

Siç keni parë ju, në rastin e Kasharit, në rastin tek Astiri dhe në raste të tjera, ku paralel me qendrat e votimit ishin ngritur zyrat e ‘trenit bullgar’ nga patronazhistët, kjo pra ishte një praktikë shumë e përhapur.
Sot në mëngjes herë, zoti Himçi shkoi vetë në bar-kafenë e Dervish Beqirit, hyri brenda dhe në vendin ku ishte informuar u gjet i gjithë materiali zgjedhor që do paraqesim tani para jush.

Këto që shihni ju janë fletët e votimit, listat e votimit të gjetura, që kishin kaluar prej disa netësh dhe flinin në bar-kafenë e Dervish Beqirit. Dervish Beqiri është vëzhgues i PS, bashkia Peqin, KZAZ me numër 45, qendrat e votimit 2292-2293. Tani e shikoni tavolinën plot me euro, karta identiteti, bollëk i madh. Kjo është tavolina e krimit elektoral. Këto janë listat. Janë 117 fletë listash votimi me vula, siç e shihni. Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës”, tha Berisha.

Ndërkohë Berisha tha se këto zgjedhje nuk do të njihen. Zgjidhja sipas tij është vetëm krijimi i një qeverie teknike dhe zhvillimi i zgjedhjeve të reja.

“Ka vetëm një zgjidhje, zgjidhja është emergjente, krijimi i një qeverie teknike, zhvillimi i zgjedhjeve të reja, shqiptarët të votojnë të lirë”, tha Berisha, i cili shtoi se PD-ja ka të tjera dokumente që tregojnë shkatërrimin e procesit zgjedhor.

Sipas tij kjo është farsë elektorale dhe PD-ja do të qëndrojë me të gjitha potencialet e saj që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë.

Ky denoncim vjen në një kohë kur Partia Demokratike ka ngritur shqetësime të tjera për mundësinë e manipulimeve zgjedhore dhe përdorimin e parave të paligjshme në fushatat elektorale. Berisha ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për lidhje me krimin e organizuar dhe përdorimin e parave të drogës për të ndikuar në zgjedhje.

Çfarë është treni bullgar që akuzon PD-ja?

“Treni bullgar” është një metodë e paligjshme për manipulimin e zgjedhjeve, e cila përfshin blerjen dhe kontrollin e votës përmes një skeme të organizuar.

Kjo metodë është përdorur për herë të parë në Bullgari në vitin 2009 dhe që atëherë është raportuar në vende të ndryshme të Evropës Lindore. Denoncime për përdorimin e “trenit bullgar” ka pasur edhe në Kosovë.

Lini një Përgjigje