Kryedemokrati Sali Berisha ngriti akuza ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me pasurinë e tij, duke u ndalur te një pronë në Surrel, për të cilën tha se përfshin një sipërfaqe të konsiderueshme, të krahasueshme me Pallatin e Brigadave.
Ai e përdori këtë shembull për të argumentuar pretendimet e tij, duke theksuar se edhe vetëm hapësira e gjelbër e banesës së Ramës arrin përmasa të ngjashme me këtë komplekS.
“E kam denoncuar dhjetëra herë. Ai me shtëpi 58 metra të deklaruar, ndërkohë që thotë se e ka ndërtuar me 3800 euro dhe 400 mijë lekë shqiptare që kishte deklaruar në ILDKPI. Por ju them se vetëm pigmenti i përdorur për ngjyrosje, janë përdorur 100 mijë euro, vetëm pigmenti. Kopshti përreth ndërkohë është më i madh se Pallati i Brigadave, 8800 metra, me ullinj të marrë nga të katra anët dhe të transplantuar aty”, tha Berisha.
Në vijim të deklaratave, ai pretendoi se kryeministri ka ndërhyrë në mënyrë të padrejtë në institucionet e pavarura, duke përmendur rastin e drejtueses së ILDKPKI-së, e cila sipas tij u shkarkua pasi nisi verifikimet mbi pasurinë e Ramës.
Berisha solli në vëmendje edhe çështjen e rrugës Qukës-Qafë Plloçë, duke e lidhur atë me përfitime të konsiderueshme financiare për kompaninë ndërtuese dhe duke e krahasuar këtë me ndërtimin e një pallati të lidhur me bashkëshorten e kryeministrit.
“Dhe sapo kryetarja e ILDKPKI-së Zana Xhuka nisi hetimin, Rama e shkarkoi atë në kundërshtim me Kushtetutën. Jo vetëm kaq, por edhe pallati që Linda Rama deklaroi se e ndërtoi me paratë e “Kurbanit”, ndërkohë që nuk e justifikonte dot as me faturë të ‘Kurbanit”, pastaj tha se atë vilë e kam nga gruaja, kur s’e kishte, pastaj tha se e kam bërë me emigracion, kam qenë në emigrim, kurse pallati i zonjës Basha, që s’ka asnjë dokument, leje, zonja Basha tha se është ndërtuar me para gjaku, e ka ndërtuar me lekët e të vëllait tha. Pallatin e ka ndërtuar kompania që ka ndërtuar rrugën Qukës-Qafë-Plloçë, që u shemb, nga 74 milionë shkoi në mbi 400 milionë, pra e nxori 10 herë pallatin”, u shpreh kryedemokrati.
Në përgjigje të interesimit të ndjekësve, Berisha u ndal edhe te zgjedhjet lokale, duke bërë të ditur afatin për përzgjedhjen e kandidatëve.
“Përzgjedhja e tyre do të bëhet para fundit të këtij viti”, tha lideri i selisë blu.
Në përfundim, Berisha deklaroi se kryeministri duhej të ishte përballur prej kohësh me drejtësinë për çështje që ai i konsideron si skandale korrupsioni dhe lidhje me krimin e organizuar.
“Ai duhet të ishte prej kohësh në burg për krimet e shëmtuara që ka kryer”, tha kryedemokrati.
Lini një Përgjigje