
Kandidati për kryetar bashkie të qytetit të Shkodrës, Benet Beci ka ftuar të gjithë qytetarët e Shkodrës që të punojnë sëbashku për zhvillimin e qytetit.
Beci ka premtuar pikat e programit të tij, duke deklaruar si kryebashkiak do sjellë një vizion tjetër për qytetin.
Në programin e tij janë tre parime kryesore udhëheqëse të punës së tij si kryetar i Bashkisë Shkodër, ai përfshinë, bashkia forcon ekonominë, bashkia është në punë dhe ajo është e hapur për të gjithë.
“Ne mundemi ta ndërtojmë ëndrrën tonë të përbashkët për Shkodrën, vetëm duke ndërtuar mbi të ardhmen e duke u frymëzuar në të shkuarën e saj që na bën krenarë, duke ndërtuar mbi pozitiven e jo negativen, të motivuar nga dëshira për mirë e jo nga urrejtja për të tjerët, mbi bashkëpunimin e jo konfliktin.
Bashkia, shtëpia e përbashkët e të gjithë shkodranëve, duhet të marrë përsipër rolin që i takon në planifikimin, skicimin e së ardhmes, si dhe të hartimit të projekteve, lobimit për mbështetjen e tyre dhe ndërtimin e një vizioni të ri dinamik, bashkëpunues dhe pozitiv për të ”, shkruan Beci.
Disa nga parimet e prezantuara nga Beci janë:
-Një bashki shumë e hapur dhe transparente për qytetarin .
-Marrëdhënie pozitive dhe konstruktive më Këshillin Bashkiak, si përfaqësues i qytetarëve.
-Marrëdhënie te hapura e transparente me opozitën. Unë mendoj se të gjithë i duam të mirën Shkodrës dhe nëse vëmë këtë të parën mund të tejkalojmë çdo polarizim të panevojshme politik.
-Marrëdhënie të hapura me biznesin. Me këtë nuk kam parasysh konferenca e takime, por komunikim i vazhdueshëm duke qenë krejt i qartë për rolin e biznesit në forcimin e ekonomisë. Marrëdhënie të hapura e korrekte me qeverinë e Shqipërisë duke hartuar, kërkuar, aplikuar e financuar nevojat e shumta të Bashkisë. Marrëdhënie të ngushta në nivel institucional, por edhe individual me Ministrat, Drejtorët e Agjencive Kryesore, që janë ndër partnerët më të rëndësishëm për zhvillimin e Shkodrës.
-Marrëdhënie shumë të hapura e të fuqizuara me donatorët e huaj, që do të na mbështesin me financime, por edhe me njohuritë më aktuale për menaxhimin e sfidave të bashkisë. Një gjë që kam mësuar për mbi 20 vite punë në marrëdhënie me donatorët ndërkombëtarë është që e gjitha është çështje serioziteti, profesionalizmi dhe besimi. Në momentin që do të punohet sipas këtyre vlerave, mbështetja nuk do të mungojë.
-Marrëdhënie te drejtpërdrejta pune me shoqërinë civile, grupet mjedisore, rinore, kulturore.
Marrëdhënie të forta e të rregullta me shkodranët që nuk banojnë më në Shkodër, ato që jetojnë jashtë dhe ata që jetojnë në Tiranë. I shoh si partnerë të vyer në rikthimin e Shkodrës atje ku i takon.
-Marrëdhënie të hapura e të forta me bashkitë fqinje si Malësia e Madhe, Vau i Dejës, Lezha etj. Kemi shumë histori dhe interesa të përbashkët, me bashkëpunim mundemi ta ngremë ekonominë tonë.
-Marrëdhënie të hapura me bashki të tjera në Shqipëri e në Europë, marrëdhënie të drejtpërdrejta punë jo vetëm protokollare e shkëmbim vizitash; kemi nevoje te mësojmë nga me te mirët.
-Marrëdhënie shumë të hapura dhe transparente me mediat. Jam i bindur se do të krijojmë një bashkëpunim shumë pozitiv në të mirë të komunitetit, të cilit i shërbejmë.
Lini një Përgjigje