
Teksa PD bëhet gati për të mbajtur zgjedhjet për kryetarin, Lulzim Basha vijon me turin e takimeve. Sot ai është ndalur në Gjirokastër. Basha ka vijuar me sulmet ndaj Berishës, por edhe ndaj klasës politike. Sipas tij, e ardhmja e PD është në krah të SHBA-BE.
“Reflektimi i thellë përgjatë këtij një viti e gjysmë, na ka shenjuar të gjithë ne, dhe sot jemi syhapur e të vetëdijshëm për rrugën përpara nesh, e cila kalon nëpërmjet reformimit të së djathtës dhe mbylljes së hendekut të madh mes shoqërisë dhe politikës.
Ndryshimi i sistemit politik, i braktisur nga qytetarët në 14 maj, është prioritet që ne bashkëndajmë me shumicën dërrmuese të qytetarëve që nuk duan që gjërat të vazhdojnë kështu sic janë, nën hyqmin e një klase të vjetëruar politike, që është bërë mburojë e interesave të pak njerëzve, e jo të mirëqenies së përbashkët”, shprehet Basha.
Sipas tij, parimet dhe vlerat që bashkojnë demokratët janë busulla që udhëheqë në luftën pakompromis ndaj korrupsionit dhe forcimit të partneritetin me aleatët strategjikë të Shqipërisë, SHBA, BE dhe Britaninë e Madhe.
“Ne kemi qëndruar fortë në mbrojtje të vlerave perëndimore, të qartë se ajo që nuk është e mirë për Shqipërinë, nuk mund të jetë e mirë për Partinë Demokratike. Kjo qëndresë është edhe prova më e madhe e vendosmërisë tonë për të sjellë një ndryshim rrënjësor për vendin duke hapur garën politike përmes: listave të hapura, garantimit të integritetit të politikanëve përmes vetting-ut, ekuilibrimit të jetës institucionale përmes kufizimit të mandateve të kryeministrit, nxitjes së pjesëmarrjes në jetën e vendit, të atyre që punojnë e sakrifikojnë jashtë kufijëve tanë, përmes garantimit të votës së diasporës”, tha Basha.
Lini një Përgjigje