
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmet Bardhi ka sulmuar ashpër Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit shtyu sot seancën sa i takon padisë së PD për VKM-në mbi sekuestrimin e ndërtimeve pa leje. Shtyrja u kritikua nga demokratët dhe kjo soli një reagim të Kushtetueses, e cila ju përgjigj akuzave.
“Duke qenë se nuk ka pasur ndonjë kërkesë për përshpejtim nga palët ndërgjyqëse, Gjykata, në datën 23.02.2023 (pra 2 muaj nga afati i paraqitjes së parashtrimeve), ka vendosur caktimin e datës së seancës plenare, duke ndjekur kalendarin e çështjeve sipas radhës, radhë kjo e njëjtë me atë të çështjeve të tjera me të njëjtën natyrë. Gjykata Kushtetuese, duke respektuar lirinë e shprehjes dhe të medias, rithekson rëndësinë e respektimit të pakushtëzuar të vendimeve të saj dhe kërkon nga palët vetëpërmbajtje në lidhje me komentet për çështjet në proces, çka do t’i shërbente forcimit të besimit të publikut në autoritetin e saj si organ që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës”, njoftoi gjykata.
Por ndaj saj ka reaguar Bardhi. Ai e ka cilësuar Kushtetuesen si vartëse të qeverisë. Sipas Bardhit, Gjykata Kushtetuese po i jep kohë qeverisë dhe po i shërben asaj duke nxjerrë këto justifikime qesharake në mënyrë që qeveria të miratojë një ligj të ri për këtë çështje,
“Shoh që Gjykata Kushtetuese është shqetësuar për besimin e saj tek publiku pas deklaratës sime sot në seancë se Gjykata ka rënë pre e shantazhit të Edi Ramës. Besimi i publikut nuk vendoset me deklarata politike, por duke zbatuar ligjin dhe Kushtetutën. Nuk vendoset me standarde të shumëfishta dhe as duke u sjellë si vartës të qeverisë dhe mercenarë të oligarkëve, siç ka bërë kjo Gjykatë së fundmi. Si mund të vendosë Gjykata Kushtetuese besimin tek publiku, kur ajo nuk është e paanshme dhe rrëzon vetë vendimet e saj në këto 30 vite ekzistencë?!
Sot, kjo Gjykatë nuk pranoi që ne, si kërkues të shfuqizimit të VKM-së që legalizon ndërtimet pa leje të oligarkëve, të përfqësohemi me autorizim të Kryetarit të grupit parlamentar, por nga firmat e 28 deputetëve kërkues. Një rast i paprecedentë që kur kjo Gjykatë ekziston në demokraci. Në 3 dekada, sa herë PD apo PS ka depozituar një çështje në Gjykatën Kushtetuese, deputetët janë përfaqësuar me autorizim të Kryetarit të Grupit. Sot, Gjykata Kushtetuese e ndryshoi këtë standard që t’i shërbejë sërish qeverisë dhe oligarkëve. Si mund t’i besojnë shqiptarët kësaj gjykate, kur Gjykata veproi ndryshe për përfaqësimin tonë psh. për kërkesën për Bordin e Ushqimeve, për Bordin e Karburanteve, për kërkesën për mandatin e Olta Xhaçkës, për Komisionin Hetimor Becheti dhe me qindra çështje të tjera përgjatë 30 viteve. Pse për këto çështje mjaftonte autorizmi i kryetarit te grupit, ndërsa sot nuk mjaftonte?
Përgjigja është e thjeshtë. Gjykata Kushtetuese po i jep kohë qeverisë dhe po i shërben asaj duke nxjerrë këto justifikime qesharake në mënyrë që qeveria të miratojë një ligj të ri për këtë çështje, si dhe ti jap kohë oligarkëve të rregullojnë letrat dhe të përfitojnë në mënyrë antikushtetuese legalizim të pronave të paligjshme dhe amnisti nga procedimi penal.
Linku më poshtë me projektligjin e ri për këto ndërtime pa leje tregon qendrimin e sotëm skandaloz të Gjykatës Kushtetuese për të zvarritur gjykimin dhe për t’i dhënë kohë qeverisë. Ky ligj nxjerr zbuluar mungesën e integritetit të gjykatësve kushtetues për të vendosur të pavarur për një çështje ku ata e dinë që është shkelur hapur Kushtetuta dhe ligjet e vendit.
Ftoj anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të heqin dorë nga varësia ndaj Edi Ramës, të mos i nënshtrohen as presionit dhe shantazhit të Kryeministrit dhe oligarkëve të tij”, shprehet Bardhi.
Lini një Përgjigje