
Gazmet Bardhi i ka mbyllur derën Sali Berishës. Ndonëse ai u zgjodh kryetar grupi dhe pati zëra se mund të kemi lëvizje për bashkimin e PD, Bardhi e ka bërë të qartë se për të Berisha është e shkuara dhe ai nuk mund të jetë kryetari i partisë.
Sipas tij, PD nuk mund të jetë fituese nëse vijon të jetë në një kurs përplasje me ndërkombëtarët. Për Bardhin, Berisha duhet të mos jetë aktiv fare në politikë.
“Ka dhënë shumë, por duhet të hap rrugën për një lidership të ri dhe të heqë dorë nga jeta aktive në PD. Zgjedhjet tregojnë se qytetarët dhe veçanërisht demokratë duan një diçka të re në PD. Nëse unë do isha aktiv në nivelet më të larta për 32 vite, do kisha hapur rrugën plotësisht dhe do kisha lejuar një qarkullim elitash. Nuk besoj se largimi i tij krijon çarje brenda PD. Brenda grupit të tij ka figura që ofrojnë zgjidhje për PD. Edhe brenda nesh ka figura qo ofrojnë zgjidhje”, tha ai.
Ndërkohë i pyetur nëse Basha do të rikthehet në PD, Bardhi ka qenë më luajal. Teksa për Berishën ishte i prerë se ai nuk duhet të jetë në krye të PD, për Bashën ka qenë më i tërhequr.
“E kam shprehur qëndrimin tim dhe është publik. Kam qenë ndër të vetmit nga të dyja pjesët, së bashku me një pjesë të madhe të madhe të grupit parlamentar që kemi bërë thirrje mbi mënyrën si gjithë PD do duhej të hynte në një zgjedhje. Tani jemi në një fazë të re kur zgjedhjet kanë mbaruar. Unë nuk e kam komentuar rezultatin e zgjedhjeve sepse nuk ka nevojë për t’u komentuar. Si politikan secili prej nesh do duhet vetëm ta lexojë atë rezultat”, tha ai.
Pak ditë më parë Enkelejd Alibeaj dha dorëheqjen si kryetar grupi dhe si kryetar i komanduar. Tani duket se do të nisë një betejë e re në PD se kush do ta marrë drejtimin. Ka shumë zëra që flasin se do të kemi një rikthim të Bashës, ndërkohë Berisha nuk tërhiqet.
Lini një Përgjigje