
Ish-presidenti Bamir Topi ka komentuar zgjedhjet e 11 majit. Ai tha se kreu i PD Sali Berisha nuk do të largohet nga drejtimi i PD-së.
Ndërkohë u shpreh se kryeministri Rama, me çfarë ka deklaruar deri më tani, ka lënë të kuptohet se edhe zgjedhjet e 2029 do t’i fitojë. Ish-presidenti tha gjithashtu se Rama e ka të thjeshtë pasi rezultati përcaktohet në tavolinë.
“E kemi bërë këtë analizë për situatën e Shqipërisë në vitin 2030. Këtu kam qenë kur të kam thënë zgjedhjet janë në 2025, ku është 2029-a që ai nuk e përmend? Ai tregon që e ka në xhep. Pse e ka në xhep? Sepse e ka të thjeshtë, rezultati përcaktohet në tavolinë sepse i tillë është sistemi. A ka anomali më të madhe që ti merr vota të duash dhe përkthehen në një mandat ose nuk përkthehen fare. Është anomali”, tha Bamir Topi për “News 24”.
Teksa ka komentuar listat e kandidatëve për deputetë, Topi tha se në ato të mbyllura Berisha ka vënë njerëz që garantojnë qëndrueshmëri në Parlament, teksa shtoi se kreu i PD ka qenë i bindur se do të mbetej në opozitë.
“Këta njerëz janë zgjedhur (në listën e mbyllur) për të garantuar opozitë të qëndrueshme në Parlament. Ai (Berisha) ka qenë i bindur që do të ishte në opozitë. Mënyra se si u luajt, për mua ka nxjerrë nga lista e kompeticionit politik në Shqipëri, pothuajse të gjitha partitë që morën pjesë në koalicionin humbës të Sali Berishës. Për më tepër 2-3 kryetarë partish zgjodhën të ishin në listën e hapur dhe morën një rezultat dramatik, që do të thotë se nuk u lejon atyre moralisht që të rikthehen politikisht në krye të partive. Ka një anomali gati totale të opozitës e cila sot përkthehet në një anomali institucionale të opozitës, sepse janë atje bashkërisht”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje