
Ish-kryeministri Sali Berisha ka shkuar sot pasdite në Bulqizë, teksa nuk ka kursyer sulmet dhe akuzat ndaj qeverisë. Duke u ndalur te intervista e ish-të dashurës së Charles McGonigal, Berisha akuzoi Ramën dhe ministrat se hanë darka deri në 10 mijë dollarë.
Berisha tha se kryeministri Rama nga mëngjesi deri në darkë “me balluket dhe stërballuket e tij”, nuk ka synim tjetër veç mashtrimit dhe vjedhjes. Pra duket se Berisha ka shigjetuar Belinda Ballukun.
“Pas 32 vitesh ne përballemi me një monizëm të ri. Ky monizëm nuk bazohet më në doktrinën marksiste-leniniste por në krimin, drogën dhe vjedhjen tuaj. Bazohet në urrejtjen e qeveritarëve ndaj qytetarëve. Bazohet në diskriminimin masiv të këtyre qytetarëve. Ndaj dhe ne jemi sot në këmbë. Jemi përsëri në një besë se do ecim të sigurtë drejt fitores sonë. Sot ne kemi para jush kandidatë të shkëlqyer. Ky nuk është armik i demokratëve por mbarë shqiptarëve.
Nga viti 2014 deri në 2022, nga ky regjim u larguan nga vendi 937 mijë shqiptarë vetëm drejt BE. Nga këta shumica nën 32 vjeç. Asnjë luftë apo epidemi e pushtim nuk ka shkretuar shqiptarët sa Edi Rama. Edi Rama nga mëngjesi deri në darkë me Balluket dhe stërballuket nuk ka asnjë synim, vetëm t’u mashtrojë ju që të vazhdojë vjedhjen. Nëse hidhini sytë sot në Shqipëri, pasuria më e madhe ndodhet në Bulqizë edhe pse janë nxjerrë miliona tonë krom. Hidhni sytë këto vite, sikur dilni nga një luftë, me rrugë të shkatërruara.
Koha ka ndaluar, për ju njerëz punëtorë dhe me intelektualë të fuqishëm, sepse edhe rentën e hoqi, sepse oligarkët i paguan atij ryshfetin dhe ua hoqi rentën që ju duhet të përfitoni me ligj. A do vazhdojmë ne kështu? Këta nuk kanë shpirt, as ndjenja. Si mund të mendojë për fëmijët në Ostren apo në fshatra ai që ulet e drekon me armikun e SHBA-ve, 10 mijë euro darkën. Si mund të mendojë për fëmijët Ballukja që këput biftekun 1000 euro”, tha ai.
Lini një Përgjigje