Dy ditë pasi mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme, ministri i ri Taulant Balla ka mbledhur sot drejtuesit e institucionit.
Balla teksa shpalosi vizionin e tij për punën e re i kërkoi vartësve të tij që të mos intimidohen ndaj asnjë deputeti apo funksionari të shtetit.
Ai deklaroi se kërkesa e parë ndaj drejtuesit të Policisë së Shtetit ka qenë arrestimi i vëllait dhe djalit të ish-deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja, të cilin siç tha vetë Balla, e ka mik.
“Në takimin e parë që kam zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm dhe atë të Tiranës, kërkesa ime e parë ishte ndalimi sa më parë i vëllait dhe i djalit të deputetit të Fushë-Krujës, i cili është miku dhe ish-kolegu im, Rrahman Rraja. Ai me gjestin e tij të dorëzimit të mandatit bëri detyrën e tij karshi qytetarëve, duke u vetëndëshkuar moralisht. Po ndërkohë Policia e Shtetit ende nuk e ka bërë detyrën e saj për të ndëshkuar ligjërisht dy individët e lartpërmendur, të cilët e kanë vendin para drejtësisë.", tha ai.
Ai kritikoi policinë pse ende nuk kanë arrestuar djalin dhe vëllain e ish deputetit socialist Rrahman Rraja, të shpallur në kërkim pas dhunës në drejtim të dy kushërinjve Maja në Borizanë.
"Një orë e më parë! Ajo skenë e shëmtuar në Fushë-Krujë, ka një përmbajtje shumë më domethënëse për Policinë e Shtetit se sa kapja e autorëve të saj. Sepse ajo skenë flet për një situatë të majisur më parë, nga toleranca e papranueshme e policisë së asaj zone, e cila nuk i dëgjoi ankesat e banorëve dhe për pasojë zgjodhi të bëhej mburojë e paligjshmërisë, duke u sjellë si e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët. Shkrirja e komisariatit të Fushë-Krujës ishte përgjigja e duhur ndaj një dështimi shumë më të gjerë dhe më të thellë, se sa gurorja e konfliktit që e nxori dështimin e atij komisariati në sipërfaqe.", shtoi Balla.
Më tej ai u la porosi drejtuesve të policisë se çdo deputet që i "shqetëson", t'i adresohen atij si ministër.
"Deputeti ka të drejtë dhe detyrë t’ju drejtohet për çdo shqetësim, t’ju shprehë ankesat e qytetarëve siç e parashikon Ligji për Statusin e Deputetit, i cili kërkon që deputetit t’i kthehet përgjigje brenda një afati, që duhet respektuar. Ju keni detyrë t’i dëgjoni me respekt sa herë ju bie telefoni prej deputetëve, por për çdo rast që arsyeja e telefonatës përbën ndërhyrje në kryerjen e detyrës suaj, ju kërkoj që deputetin ta drejtoni tek unë.”, tha ai.
Ngjarja në Krujë solli dhe shkrirjen e Komisariatit të Krujës.
Sot, u firmosën ndryshimet për strukturat e Komisariatit të Policisë Krujë, konkretisht: lirimin nga detyra të Shefit të Komisariatit të Policisë Krujë Komisar Elton Shahini dhe emërimin në këtë detyrë të Komisar Kreshnik Alimadhi; lirimin nga detyra të Zëvendësshefit të Komisariatit/Shef për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, Nënkomisar Ajet Bega dhe emërimin në këtë detyrë të Nënkomisar Sadik Topuzi; lirimin nga detyra të Shefit të Seksionit në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Krujë nënkomisar Anri Nazaj dhe emërimin në këtë detyrë të Nënkomisar Dashamir Ilamaj si dhe transferimin e menjëhershëm të 26 punonjësve të Policisë të nivelit zbatues, pjesë të strukturave të njësisë operacionale, të strukturës së Policimit në Komunitet dhe të Patrullës së Përgjithshme.
Në 6 korrik, në një lokal në aksin Fushë Krujë-Thumanë, familjarët e Rrajës, goditën me sende të forta dhe kërcënuan me armë Bilbil Majën dhe Jashar Majën, të cilët kërkonin zbutje të minave që përdoreshin në gurore, pasi u ka dëmtuar banesat e tyre.
Balla ndryshe nga paraardhësit e tjerë, gjithashtu tha se nuk do të ndryshojë asnjë drejtues dhe shef policie.
“Ju drejtohem sot me ndjenjën e përgjegjësisë më të madhe të jetës sime publike dhe të mirënjohjes së thellë për besimin e kryeministrit, Presidentit dhe Grupit Parlamentar të maxhorancës, për marrjen e detyrës së ministrit tuaj. Ju bëj me dije që në fillim, se kam hyrë në këtë godinë me vetëdijen se suksesi në punën time është i pamundur pa ju dhe se krijimi i një fryme skuadre në luftën për përmbushjen e objektivave të këtij sektori është baza e suksesit që synoj. Ju siguroj për respektin tim, për dijet, eksperiencën, profesionalizmin e kësaj trupe dhe për gatishmërine time që të punoj me të gjithë ju, duke i dhënë secilit dhe secilës mundësinë të shpalosë aftësitë e veta për të bërë së bashku më të mirën.
Ka ndodhur në të shkuarën që paraardhës të nderuar të mitë në këtë detyrë e kanë nisur punën e tyre duke ndërruar drejtuesit dhe shefat.”, tha ndër të tjera ministri i Brendshëm.
Lini një Përgjigje