
Nisma e Bashës është futur në kalendar dhe do të kalojë në seancë plenare më 8 shkurt.
Një ditë pasi Edi Rama paralajmëroi se do të tentojë mënyra të tjera për të siguruar kalimin e reformës zgjedhore dhe ligjeve me shumicë të cilësuar, janë dhënë sinjalet e para se kanë filluar të lëvizin gjërat mes PS dhe grupit të Lulzim Bashës.
Kuvendi mblodhi sot Konferencën e Kryetarëve, ku u miratua kalendari dhe programi i punës për 3 javët në vijim. Por bie në sy një detaj interesant, pasi PS ka futur në axhendë një nismë personale të Lulzim Bashës.
Kreu i PD ka propozuar kriminalizimin e shpifjes, duke kërkuar ndërhyrje në Kodin Penal. Kjo nismë e Bashës është futur në kalendar dhe do të kalojë në seancë plenare më 8 shkurt. Kjo lëvizje, një ditë pas mesazhit të Ramës, duket se sinjalizon se diçka po ndodh në prapaskenë.
Rama ka 77 vota në sallë, përfshirë dhe deputetët e Tom Doshit, dhe i duhen së paku 7 vota. I vetmi që mund ta ndihmojë është Basha, që ka pas vetes 8 deputetë. Mos ndoshta futja në axhendë e nismës së Bashës është një tentativë joshjeje?
Por çfarë propozon konkretisht Basha?
Në nismën e kreut të PD, kërkohet që në nenin 120 të Kodit Penal, nen ku flitet për shpifjen, pas paragrafit të dytë të shtohet paragrafi i tretë me këtë përmbajtje: "Kur, kjo vepër, kryhet nga të zgjedhurit, gjatë kohës së ushtrimit të mandatit, në seancat parlamentare të Kuvendit, apo në çdo formë tjetër, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet”.
Me pak fjalë, Basha kërkon që të ketë burg për deputetët, nëse ata shpifin ndaj kolegëve të tyre. Nisma e Bashës mori spunto pas sulmeve dhe akuzave që janë bërë ndaj tij nga Berisha dhe deputetët që i shkojnë pas.
Propozimi për një dënim më të ashpër për deputetin, sipas PD-së, bëhet “për shkak të ndikimit të publicitetit që u ofrohet qendrimeve të tyre në publikun e gjerë”.
Kryeministri Edi Rama pati një shqetësim të ngjashëm me Bashën në vitin 2015, kur propozoi kriminalizimin e asaj që ai e quajti “shpifje ndaj zyrtarëve të lartë”. Edhe Rama, njësoj si Basha, pretendoi në atë kohë se dëmi që i bëhet shoqërisë nga cenimi i reputacionit të zyrtarëve, kërkon dënim me burg dhe jo thjesht trajtimin e tyre si çështje civile. Në atë kohë, Rama u detyrua të tërhiqet nga propozimi pas një orteku kritikash vendëse dhe ndërkombëtare. Por tani PS ka gjetur shteg te propozimi i Bashës dhe është vënë në lëvizje. /Pamfleti
Lini një Përgjigje