TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Nëntor 2023, 10:50

Ahmetaj publikon raportin e studios ligjore amerikane: Dosja e SPAK e stisur, i gjithë procesi ndaj meje politik

Shkruar nga Pamfleti
Ahmetaj publikon raportin e studios ligjore amerikane: Dosja e SPAK e stisur, i
Arben Ahmetaj

Ish ministri Arben Ahmetaj ka reaguar sërish për hetimet e SPAK, ku thotë se gjithë procesi ndaj tij është i stisur.

Ahmetja thotë se pas persekutimit politik në mediat të financuara nga inceneratorët dhe në institucionet e akuzës, ka kërkuar një Opinion të dytë të pavarur (Indipendent Second Opinion) nga një firmë ligjore ndërkombëtare me qendër në SHBA.

Firma ligjore “Nixon Peabody” pas disa muajsh punë me bashkëpunëtorë me eksperiencë të fushës (ish-prokurorë federalë, apo ish-investigatorë të institucioneve ligjzbatuese amerikane) kanë prodhuar një raport të gjatë  ku bie në sy një nga konkluzionet është se ndaj tij po bëhen sulme të orientuara politikisht.

'Të nderuar Qytetarë,
Në vazhdën e persekutimit politik për më shumë se një vit e gjysëm, të vazhduar e orientuar në media (të financuara nga inceneratorët) dhe në institucionet e akuzës, u detyrova të kërkoja një Opinion të dytë të pavarur (Indipendent Second Opinion) nga një firmë ligjore ndërkombëtare me qendër në SHBA.
Firma ligjore “Nixon Peabody” mori në shqyrtim të gjithë raportin e SPAK paraqitur në kërkesën që ky i fundit dorëzoi në Kuvend për heqjen e imunitetit parlamentar. Firma ligjore “Nixon Peabody” pas disa muajsh punë me bashkëpunëtorë me eksperiencë të fushës (ish-prokurorë federalë, apo ish-investigatorë të institucioneve ligjzbatuese amerikane) kanë prodhuar një raport të gjatë prej 420 faqesh duke u bazuar në standardet ndërkombëtare, prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat themelore të njeriut.
Në raport ka dhe një përmbledhje prej 38 faqesh, ku bie në sy një nga konkluzionet e “political motivation or others…”, pra sulme te orientuara politikisht, për akuzat e ngritura ndaj meje, përmbledhje e cila mund të lexohet lehtësisht nga kushdo i interesuar.

Këtë raport ia kam dërguar Ministrit të Drejtësisë, Kryetares së Kuvendit, Kryeinspektorit Metani, si dhe disa përfaqësive të huaja të shteteve dhe institucioneve që kanë kontribuar në reformën në drejtësi.
Më poshtë kam atashuar linkun e materialit të plotë, i cili është lehtësisht i aksesueshëm.
Tashmë nuk kam më as habi, e as çuditem nga goditjet e orientuara, të kaluara, të tashme e të ardhme. Nuk kam çudi as nga standardet e aplikuara. Në të ardhmen e afërt do të komunikoj në detaje për akuza / supozime e përtej…', shkruan Ahmetaj. 

Në raport “Nixon Peabody” thotë se  Ahmetaj nuk ka patur asnjë rol në inceneratorin e Fierit dhe atë të Elbasanit, ndërkohë që konfirmohet sipas amerikanëve përmes shkresave, se ish-kryeministri ka bllokuar disa herë zhvillimin e inceneratorit të Tiranës, i cili në fakt rezulton të mos jetë ndërtuar ende pavarësisht se pagesat janë berë për vite me radhë.

Ahmetaj publikon raportin e studios ligjore amerikane: Dosja e SPAK e stisur, i

“Analiza jonë ka identifikuar disa raste ku përqasjet dhe konkluzionet e hetuesve siç pasqyrohen në raportin e SPAK-ut, duket se nuk përputhen me praktikat dhe normat e pranuara ndërkombëtarisht.

SPAK duket se është mbështetur në një sasi të konsiderueshme provash rrethanore dhe për këtë arsye ka arritur në përfundime të pambështetura mbi bazën e këtyre provave. Si rrjedhojë, sipas mendimit tonë, SPAK nuk ka krijuar disa shtylla kyçe që janë të nevojshme për të konstatuar një rast korrupsioni apo shpërdorimi të detyrës. Në veçanti, SPAK nuk ka identifikuar (a) ndonjë akt zyrtar të veçantë që z. Ahmetaj ka marrë në shkelje të detyrave të tij zyrtare ose (b) ndonjë përfitim që z. Ahmetaj supozohet se ka marrë në këmbim të aktit zyrtar që pretendohet se ka kryer ai”, thuhet në raportin e studios ligjore amerikane, “Nixon Peabody”.

Madje, në raport “Nixon Peabody” shprehet duke iu referuar të dhënave të SPAK, se ndryshe nga rasti Ahmetaj, prokurorët kanë mundur të identifikojnë me prova një tjetër ish-zyrtar të lartë si përfitues nga skema e inceneratorëve.

“Për më tepër, hetimi i SPAK-ut ka identifikuar dhe pretenduar se persona të tjerë, përfshirë ish-kreun e Autoritetit Kontraktor përkatës, z. Koka (Lefter Koka sh.r), janë përfshirë në korrupsion në lidhje me skemën e inceneratorëve”, thekson raporton ndërsa shton se

“Kemi konstatuar se Ahmetaj në fakt ka marrë masa për të kundërshtuar skemën e inceneratorëve”.

“Si pasojë e këtyre dështimeve të hetimit të SPAK-ut, na mbetet të vemë në dyshim vërtetësinë e akuzave ndaj zotit Ahmetaj dhe motivet e përpjekjeve të prokurorëve ndaj tij. Sulmet ad hominem në lidhje me interesat e mëparshme të biznesit të z.Ahmetaj, jetën e tij personale dhe tema të tjera krejtësisht të parëndësishme në media, të cilat duket se janë nxitur nga rrjedhjet e materialeve konfidenciale të hetimit, vetëm sa shtojnë dyshimet tona”.

Studioja ligjore amerikane shton më pas edhe shkaqet që sipas saj mund të jenë çuar në rrjedhjen me qëllim te informacioneve nga dosja në media, të cilat sipas saj janë thelbësisht politike.

“Rrjedhje të tilla krijojnë supozime të padrejta dhe të pasakta për fajësinë e Ahmetajt përpara se çështja të jetë gjykuar. Kjo i jep edhe më shumë krahë dyshimit se motivimet e SPAK-ut për të vënë në shënjestër Ahmetajn janë të natyrës politike dhe jo në shërbim të drejtësisë. Bazuar në përvojën tonë të gjerë si prokurorë dhe zyrtarë federalë të Shteteve të Bashkuara që kryejnë hetime dhe ndjekje penale të korrupsionit publik, ne konstatojmë se mungon tërësisht veprimtaria hetuese e SPAK ndaj z.Ahmetaj. Për më tepër, ne i gjejmë provat e SPAK-ut tërësisht të pamjaftueshme për të akuzuar (aq më pak të dënuar) z. Ahmetaj për ndonjë shkelje, apo për të vazhduar çdo lloj hetimi apo ndjekjeje ndaj tij”, thuhet në raportin voluminoz të studios ligjore amerikane “Nixon Peabody”.

 

arben ahmetaj

Dokumenta bashkëngjitur

Lini një Përgjigje