TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Maj 2023, 10:33

Anulohet mbledhja e Kryesisë së PD, deputetët: Alibeaj është dorëhequr, nuk ka më kompetenca

Shkruar nga Pamfleti
Anulohet mbledhja e Kryesisë së PD, deputetët: Alibeaj
Enkelejd Alibeaj

Mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike e thirrur sot për të diskutuar dorëheqjen e Enkelejd Alibeajt dhe kryetarin e ri është pezulluar. Kjo mbledhje nuk u realizua dot, pasi deputetët nuk pranojnë të mblidhen duke qenë se Alibeaj ka dhënë dorëheqjen nga posti drejtues.

Disa deputetë që janë pjesë e grupit parlamentar të PD-së deklarojnë se Alibeaj nuk ka më kompetencën të thërrasë forumet e partisë, pasi nuk është më kryetar i komanduar.

Ndërsa disa të tjerë ngrenë supet dhe thonë se nuk kanë marrë asnjë njoftim për mbledhjen e sotme në mesditë.

'Alibeaj është i dorëhequr, nuk mund ta thërrasë më Kryesinë'- thonë deputetët e PD-së.

Sipas statutit të PD, drejtimin duhet ta marrë nënkryetari, që është Jorida Tabaku. Burimet bëjnë me dije Bardhi po mbledh firma që të bëhet kryetar grupi.

Sipas nenit 46 të Statutit, në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri,” sqaroi Bardhi pas dorëheqjes së Alibeajt.

Ndërkohë nga Tabaku nuk ka pasur ende një vendim. Ditën e djeshme tha para mediave se çdo vendim që do merret do të konsultohet me kolegët.

Po ashtu, ajo shtoi  se dorëheqja e Alibeajt ishte e papritur për të. Tabaku bëri të ditur se është takuar me sekretarin e përgjithshëm të PD një ditë më parë, por nuk dha detaje rreth takimit.

PD duhet të ishte bashkë përtej interesave personale, të reflektojmë të mos presim, t’u japim kohë demokratëve dhe vetes se ku ne gabuam. Dorëheqja e Alibeajt ishte e papritur për mua, kam patur një takim me Gazment Bardhin, kemi diskutuar për këtë çështje”, tha Tabaku.

Mirëpo grupi i Alibeajt nuk e do Bardhin dhe Tabakun. Sipas burimeve ata sot do të propozojnë që të ngrihet një këshill kolegjial për drejtimin e PD derisa të mbahen zgjedhjet për kryetarin.

Dy ditë më parë, Enkelejd Alibeaj dha dorëheqjen nga pozicioni i drejtuesit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe kreut të komanduar të Partisë Demokratike, post që e mbajti pas vendimit të Gjykatës, e cila i kaloi selinë blu dhe vulën e partisë. Në një deklaratë për mediat, Alibeaj deklaroi se PD-ja ka nevojë për reformim dhe duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare, në bazë të parimeve demokratike, të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-en.

enkelejd alibeaj pd

Lini një Përgjigje