Ditën e sotme në orën 12:00 do të mblidhet Kryesia e PD për të diskutuar për emrin që do marrë në dorë drejtimin e Partisë Demokratike, pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt.
Dy ditë më parë Alibeaj bëri të ditur se ka hequr dorë nga detyra si kryetar i komanduar i Partisë Demokratike. Po ashtu ai tha se nuk do të jetë më as kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së.
Menjëherë pas këtij lajmi, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike zyrtare, Gazment Bardhi thirri një takim urgjent pune për të diskutuar për situatën me nënkryetaren e partisë Jorida Tabaku.
Sipas statutit të PD, drejtimin duhet ta marrë nënkryetari, që është Jorida Tabaku. Burimet bëjnë me dije Bardhi po mbledh firma që të bëhet kryetar grupi.
“Sipas nenit 46 të Statutit, në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri,” sqaroi Bardhi pas dorëheqjes së Alibeajt.
Ndërkohë nga Tabaku nuk ka pasur ende një vendim. Ditën e djeshme tha para mediave se çdo vendim që do merret do të konsultohet me kolegët.
Po ashtu, ajo shtoi se dorëheqja e Alibeajt ishte e papritur për të. Tabaku bëri të ditur se është takuar me sekretarin e përgjithshëm të PD një ditë më parë, por nuk dha detaje rreth takimit.
“PD duhet të ishte bashkë përtej interesave personale, të reflektojmë të mos presim, t’u japim kohë demokratëve dhe vetes se ku ne gabuam. Dorëheqja e Alibeajt ishte e papritur për mua, kam patur një takim me Gazment Bardhin, kemi diskutuar për këtë çështje”, tha Tabaku.
Mirëpo grupi i Alibeajt nuk e do Bardhin dhe Tabakun. Sipas burimeve ata sot do të propozojnë që të ngrihet një këshill kolegjial për drejtimin e PD derisa të mbahen zgjedhjet për kryetarin.
“Partia duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare, në bazë të parimeve demokratike, siç e kam theksuar vazhdimisht gjatë fushatës elektorale. Partia duhet të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara berishiste dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-en. Ne do të duhet të kuptojmë se si t’u flasim jo vetëm demokratëve, por edhe atyre qytetarëve të zhgënjyer nga politika e 30 viteve, të cilët përbëjnë shumicën e heshtur në vend. Këtë, megjithatë, nuk mund ta bëjë një njeri i vetëm, qoftë ky edhe drejtuesi. Unë po largohem për t’i hapur rrugën një drejtimi kolegjial të partisë, në këtë fazë që hedh themelet për të ardhmen",-është shprehur Alibeaj.
Nga ana tjetër, Gazment Bardhi nuk ka përmendur kolegjialitet në asnjë rrethanë, por vetëm për drejtim të përkohshëm nga një prej nënkryetarëve dhe e vetmja që mban këtë post është Tabaku.
Partia Demokratike zyrtare nuk është drejtuar kurrë në kolegjialitet përveç një kohe të shkurtër gjatë themelimit të saj. Me largimin e tij, Enkelejd Alibeaj la shumë paqartësi për të ardhmen e partisë së tij, e cila doli forcë e tretë dhe në disa bashki e katërta në zgjedhjet lokale të së dielës.
Lini një Përgjigje