
Partia Demokratike është ndarë edhe lidhur me çështjen e votimit të amnistisë penale.
Ndërkohë që grupi i deputetëve që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha kanë deklaruar se nuk do të votojnë deri kur parlamenti t’i rikthehet normalitetit, grupi i Bashës ka prezantuar një amendament prej 3 nenesh.
Në mbledhjen e sotme të komisionit parlamentar të ligjeve, Enkelejd Alibeaj ka prezantuar amendamentin duke deklaruar se nëse do t’i bashkangjitet projektligjit, atëhere opozita do ta votojë.
Amendamenti përmban 3 nene ku kërkohet që nga kjo Amnisti Penale të përfitojnë të gjithë qytetarët që kanë marrë pjesë në protesta nga 1 tetori 2018 deri në 31 dhjetor 2020.
PD kërkon amnistinë për qytetarët që janë dënuar me vendim të formës së prerë, apo që janë në ndjekje penale si pasojë e veprimeve të kryera në protesta politike apo qytetare të periudhës së përmendur.
“Bëhet fjalë për qytetarët të cilët kanë marrë pjesë në protestat e organizuara nga Partia Demokratike dhe aleatët politikë të saj në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020. Në të njëjtën periudhë janë organizuar edhe disa protesta qytetare, midis të cilave vlejnë të përmenden e gjithë seria e protestave të banorëve të zonës së Astirit në Tiranë, seria e protestave kundër shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë, seria e protestave të banorëve të Bregut të Lumit, seria e protestave të banorëve të zonës së Shkozës, seria e protestave të studentëve apo protestat kundër vrasjes policore të të riut Klodian Rasha”, ka sqaruar Alibeaj.
Deputeti ka kërkuar që amendamenti të përfshihet në projektligj pasi do të shërbejë edhe për rehabilitimin e këtyre personave por edhe si një treguar se Kuvendi i kushton rëndësi kësaj kategorie qytetarësh.
AMENDAMENT PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN “PËR DHËNIE AMINISTIE”
Në mbështetje të nenit 71, pika 1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, me propozim të deputetit Enkelejd Alibeaj, në projektligjin “Për dhënie amnistie”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 3, pika 1 shtohet shkronja ë) me përmbajtjen si vijon:
“ë) personat e dënuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 150, 151, 235, 236, 237 dhe 282 të Kodit Penal, të kryera gjatë tubimeve ose protestave politike dhe qytetare të organizuara në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020”.
Neni 2
Në nenin 4, pika 1, shkronja k) hiqet numri “237”.
Neni 3
Pas nenit 6, shtohet neni 6/1 me përmbajtjen si vijon:
“Neni 6/1
Dhënia e amnistisë nga ndjekja penale për protestuesit
Përjashtohen nga ndjekja penale si dhe pushohen të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera gjatë tubimeve apo protestave politike dhe qytetare të organizuara në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020, të parashikuara nga nenet 150, 151, 235, 236, 237 dhe 282, të Kodit Penal”.
Lini një Përgjigje