TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Nëntor 2024, 22:56

Ambasadori i BE nuk i ndahet Xhafajt: Korrupsionin po e lufton SPAK, s'kemi pse të shpikim rrotën

Shkruar nga Pamfleti
Ambasadori i BE nuk i ndahet Xhafajt: Korrupsionin po e lufton SPAK, s'kemi
Dumani-Gonzato

Qeveria lançon strategjinë ndërsektoriale kundër korrupsionit...

Ambasadori i BE, Silvio Gonzato duket se nuk i ndahet Fatmir Xhafajt.

Sot në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, u mbajt tryeza e hapur për debat publik për konsultimin e Dokumentit Analitik, me temë “Integriteti i Administratës Publike dhe Ofrimi i Shërbimeve Digjitale për parandalimin e Korrupsionit”. Takimi u organizua nga komisioni “Xhafaj”.

Fokusi i tryezës ishte prezantimi i gjetjeve kryesore nga grupi i ekspertëve dhe çështje të nevojshme për konsultim dhe debat publik lidhur me integritetin në administratën publike.

Por paralel me të, Qeveria lançoi strategjinë ndërsektoriale kundër korrupsionit. I pranishëm në këtë aktivitet, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato. Sipas tij, SPAK po dëshmon se po e lufton korrupsionin dhe ata s’kanë pse të shpikin për herë të dytë rrotën, duke goditur komisionin "Xhafaj".

Në kohën e duhur edhe në aspektin e punës që po zhvillohet në Komisionin Parlamentar që po drejtohet nga Xhafaj, do thoja që shumë prej çështjeve që komisioni do të identifikojë do të trajtohen nga zbatimi efektiv i kësaj strategjie, në këtë kuptim nuk ka nevojë të shpikim rrotën nga e para, duke përcaktuar përparësi, objektiva me afate të caktuara, përpjekjet ndaj korrupsionit përmbushen me efektivitet”, tha Silvio Gonzato.

Në takim ishte dhe kreu i SPAK, Altin Dumani. Sipas ambasadorit të BE, të gjithë duhet të bëjnë detyrën që u takon.

Ministrja e Shtetit Adea Pirdeni prezantoi sot strategjinë e re të Shqipërisë kundër korrupsionit, një nismë e mbështetur në mënyrë aktive nga BE-ja, e cila do të promovojë transparencë dhe llogaridhënie më të madhe. Trajtimi i korrupsionit është një detyrim nga negociatat e anëtarësimit, por nuk është vetëm kaq. Është diçka që i detyrohemi popullit shqiptar që pret të jetojë në një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.

Tani, fokusi duhet të jetë në zbatimin e strategjisë përmes proceseve të koordinuara dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë të gjitha institucionet përkatëse dhe shoqërinë civile. BE-ja është këtu për të mbështetur Shqipërinë në këto përpjekje përmes asistencës së gjerë teknike, projekteve të synuara dhe mbështetjes financiare, duke përfshirë edhe Planin e Rritjes”, vijoi ai.

Sa i takon tryezës së Xhafajt, ekspertët vlerësuan se analiza e situatës së etikës dhe integritetit të Administratës Publike në Shqipëri merr një vlerë të veçantë për të pasur një administratë në standardet europiane dhe e përkushtuar në shërbimin ndaj qytetarëve. Lidhur me gjetjet dhe problematikat për këtë çështje, ekspertët u shprehën për mungesën e një zinxhiri të qartë hapash, procedurash dhe afatesh kohore kur ka raste të shkeljeve të Kodit të Etikës dhe integritetit nga ana e zyrtarëve apo nëpunësve publikë, apo në rastet kur denoncohen nga qytetarë, media dhe grupe interesi.

Lini një Përgjigje