E dërguara e SHBA thërret në takim deputetët e rinj, pjesë e tryezës vetëm figurat e pastra...
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dërguar sërish një mesazh të fortë sot kastës politike shqiptare. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, në zgjedhjet e 2025 SHBA qëndroi larg procesit të hartimit të listave të kandidatëve, dhe Rama me Berishën nuk u kufizuan të fusnin në parlament persona me rekorde të zeza.
Sot, e Ngarkuara me Punë e SHBA ka zhvilluar një takim me një grup prej deputetëve që janë ulur për herë të parë në Parlament. Bëhet fjalë për 10–12 figura nga radhët e PS dhe PD. Mes tyre bien në sy emra si Ivi Kaso, Besart Xhaferi, Bledi Himçi, Marjana Koçeku, Alma Selmani, Erjona Ismaili, etj.
“Këtë javë, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua me deputetë të rinj nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike për t’i përgëzuar ata teksa nisin Programin Ndërkombëtar të Vizitorëve Udhëheqës (IVLP). Ata do të udhëtojnë së bashku në Ëashington, DC; Phoenix, Arizona; dhe Pensacola, Florida, për të forcuar bashkëpunimin SHBA–Shqipëri mbi prioritete të përbashkëta, si nxitja e lidhjeve tregtare, çuarja përpara e zhvillimit ekonomik transparent dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike përmes përpjekjeve ndërpartiake”, njoftoi ambasada.
Por bie në sy se disa figura, edhe pse janë deputetë të rinj, janë lënë jashtë nga ambasada e SHBA.
Nga PS bie në sy mungesa e dy figurave, Sara Mila dhe Zegjine Çaushi. Sara Mila është akuzuar nga PD se është ndihmuar nga krimi për të marrë vota. Ndërsa Zegjineja është bërë gazi i botës me videot për Bardhin. Për të mos folur pastaj për Tërmet Peçin apo Agron Malajn, ku nuk kanë fund skandalet e tyre. Peçi ka shumë afera, ndërsa Malaj është shef i grupit të zjarrit më “21 Janar”.
Nëse kalojmë te PD, kemi Gjin Gjonin, i cili nga gjyqtar, dhe i futur në listë të zezë nga amerikanët, u riciklua dhe u bë deputet. Ai dihet që ka pasur përplasje me SHBA, sidomos për pjesën e “Duty Free” në aeroportin e Rinasit, ku pati një betejë gjyqësore. Po ashtu, ai është ndër gjyqtarët që iu shmang vettingut dhe që ka pasuri sheikësh.
Emër tjetër i lënë jashtë është Kliti Hoti, i cili po ashtu është akuzuar për shumë afera me ilaçet.
Zija Ismaili, po ashtu, është jashtë. Ai është mjeku që firmosi “aksidentin” e Kosta Trebickës, sot deputet i Sali Berishës.
Pra, ambasada e SHBA është treguar shumë e kujdesshme në emrat që ka zgjedhur, pasi ka futur vetëm ata deputetë që rezultojnë të pastër dhe nuk janë përfolur publikisht. /Pamfleti
Lini një Përgjigje