Kreu i grupit parlamentar të Enkelejd Alibeaj ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore të 14 majit, pasi Gjykata e Apelit vendosi në favor të tij për vulën e PD. Teksa pritet që të hënën të depozitojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve regjistrimin e PD-së për garën elektorale, Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të PD-së, do të mbledhë të hënën strukturat e partisë.
Në njoftimin për mediat, Alibeaj bën me dije se do të mbledhë kryesinë e Partisë, grupin parlamentar dhe Kolegjin e Kryetarëve, mbledhje në të cilat do të diskutohet mbi situatën e fundit të krijuar brenda Partisë Demokratike, si edhe një fokus të veçantë do kenë zgjedhjet vendore. Po ashtu pritet që edhe të bëhet zyrtarizimi i kandidatëve.
Pas vendimit të gjykatës për t’i kaluar vulën, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Indrit Sefa njoftoi se të hënën do të depozitojnë në KQZ kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhje.
Vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën e PD-së, Alibeaj e ka quajtur një ogur të mirë për demokratët. Ai ftoi gjithashtu të gjithë demokratët që të lënë mënjanë pakënaqësitë dhe të bashkohen me të për betejën e 14 majit.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës se Apelit vjen si një ogur i mirË për demokratët që prej më shumë se 1 viti po kalojnë periudhe të vështirë. Ftojmë të gjithë demokratët që të lënë mënjanë pakënaqësitë dhe të jemi bashkë në përballjen e 14 majit. Me kandidatet më të mirë që nuk vënë interesin personal të askujt mbi interesin e demokratëve.”- u shpreh Alibeaj.
Në masa të rrepta sigurie, e rrethuar me forca të shumta policie, por edhe me prezencë të përfaqësuesve të ambasadës amerikane, Gjykata e Apelit dha sot vendimin për vulën e PD-së.
Gjykata e trajtoi çështjen në themel, duke rrëzuar kërkesën e përfaqësuesit ligjor të Sali Berishës, që të mos njihej fare si palë në proces grupimi i Enkelejd Alibeajt. Gjykata vendosi që çështja të kalojë në Shkallën e Parë. Përfaqësuesi ligjor i Enkelejd Alibeajt kërkoi rrëzimin e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri që i dha të drejtë Sali Berishës, duke njohur Kuvendin e këtij të fundit, në Dhjetor 2021 ose kthimin e çështjes në Shkallën e Parë. Apeli pranoi kërkesën e fundit dhe tani do të thotë se derisa të ketë vendim të formës së prerë, vula e PD-së i mbetet grupit legjitim nën drejtimin e Enkelejd Alibeajt. E kjo nuk donte shumë mend për t’u kuptuar, pasi në Gjykatë u panë përfaqësues të ambasadës amerikane, për t’u siguruar që të mos viheshin në zbatim pazaret e Berishës me Ramën.
Lini një Përgjigje