
Grupi i Enkelejd Alibeajt e ka cilësuar të papranueshëm vendimin e marrë nga kreu i KQZ, Ilirian Celibashi ditën e djeshme. Ky i fundit kërkoi nga Basha të lëshojë një autorizim të ri për përfaqësimin në zgjedhje, por një gjë e tillë cilësohet e pa bazuar në ligj dhe Alibeaj do ta ankimojë në KAS.
Sot pati një mbledhje të grupit parlamentar dhe u morën disa vendime. Për deputetët, Basha është dorëhequr dhe pavarësisht se figuron në regjistrin e gjykatës, ai ka autorizuar Alibeajn si drejtues të partisë.
“Qëndrimi im është i qartë. Besoj se kemi plotësuar të gjitha kërkesat ligjore sipas Kodit Zgjedhor, në mënyrën më të plotë të mundshme dhe të aktualizuara me situatën dhe gjendjen që është në PD. Ne do të bëjmë sqarimet tona në KQZ, eventualisht edhe ankimin, sipas rregullave dhe sipas të gjitha parametrave ligjorë. Jemi të qartë për një gjë. Jemi në përputhje korrekte dhe maksimale me ligjin dhe mne Kodin Zgjedhor. Partia Demokratike do të regjistrohet dhe do të marrë pjesë në zgjedhje”, theksoi Alibeaj.
Pas takimit me deputetët, Alibeaj njoftoi se u ra dakord që brenda 20 marsit të mbyllet zyrtarizimi i kandidatëve për zgjedhjet e 14 majit. Po ashtu sot është vendosur që të nisë fushata.
“Kjo ishte mbledhje e radhës së Kryesisë e grupit parlamentar. Do të jenë më të shpeshta. Diskutimet dhe vendimet janë të fokusuara te aspekti organizativ i PD lidhur dhe në funksion të fushatës zgjedhore. Deri në datën 20 të përmbyllet procesi i miratimit të kandidaturave. Përveç kësaj janë diskutuar çështjet e organizimit, janë vendosur detyrat përkatëse që do të merren në aspektin e fushatës me organizimin dhe rifreskimin e strukturave tona. Jemi të vetëdijshëm për situatën jo aq të shëndetshme që kemi kaluar”, tha Alibeaj.
Celibashi ditën e djeshme mori një vendi të dyshimtë. Ai kërkon që Basha të dalë sërish në skenë, por grupi i Alibeajt nuk pranon. Kjo do të thotë se nuk do të ketë plotësim dokumentacioni, ndërkohë që vetë kreu i KQZ ka kërcënuar me mosregjistrim të PD nëse nuk vjen një autorizim me firmën e Lulzim Bashës.
Lini një Përgjigje