TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Mars 2024, 18:03

Alarmi i Altin Dumanit, si ILDKP po shpëton nga burgu politikanët që kanë fshehur miliona euro pasuri!

Shkruar nga Pamfleti

Alarmi i Altin Dumanit, si ILDKP po shpëton nga burgu politikanët

Nëse ju referohemi raporteve vjetore të SPAK në 3 vitet e fundit, nuk ka asnjë kallëzim nga ILDKP për fshehje pasurie. Pyetja që ngrihet është: Kaq të pastër qenkan këta politikanët tanë?

Kreu i SPAK, Altin Dumani bëri një deklaratë shumë të fortë dy ditë më parë. Ai deklaroi se institucionet po amnistojnë abuzuesit, duke mos raportuar korrupsionin. Në një aktivitet që u bë, Dumani theksoi se përveç policisë dhe KLSH-së, asnjë institucion tjetër nuk bën padi në SPAK.

Ka një rënie prej 40 për qind të raportimeve nga institucionet. Tatimet zero raporte, doganat zero. A ka korrupsion apo jo? Vetëm KLSH bën herë pas here kallëzime në Prokurorinë e Posaçme, patjetër Policia e Shtetit bën..., por detyra e çdo institucioni është të luftojë korrupsionin”, tha Dumani.

Alarmi i Altin Dumanit, si ILDKP po shpëton nga burgu politikanët
Kallëzimet në SPAK, viti 2022

Ai ju referua Tatimeve dhe Doganave, por nga deklaratat e tij del në pah një element tjetër. Institucioni që ka në dorë pasuritë e politikanëve, është në gjumë. E kemi fjalën për ILDKP. Nëse ju referohemi raporteve vjetore të SPAK në 3 vitet e fundit, nuk ka asnjë kallëzim nga ILDKP për fshehje pasurie. Pyetja që ngrihet është: Kaq të pastër qenkan këta politikanët tanë? Po si ka mundësi që një deputet apo ish-ministër të deklarojë miliona euro pasuri dhe të jetë në rregull?

“Pamfleti” pak muaj më parë publikoi pasuritë e ministrave dhe deputetëve, ku rezulton një skemë e qartë fshehje pasurie. Shumë prej tyre po përdorin dhurimin për të justifikuar milionat. Para se në krye të ILDKP të vinte Evgjeni Bashari, kishte padi për emra të njohur, pas ardhjes së saj përveçse ranë ndjeshëm paditë, ka dhe terr informativ.

Së pari, ILDKP fsheh identitetet e zyrtarëve që janë gjetur me shkelje. Së dyti, pasuritë nuk janë online sikundër u premtua. Edhe pse u investuan miliona euro që deklarimi të ishte i aksesueshëm, nuk është ashtu, sërish kushdo që kërkon të dhëna duhet të bëjë kërkesë zyrtare. Me pak fjalë, institucioni që duhet të zbulojë pasuritë e të korruptuarve, i mbron ata. /Pamfleti

 

pasuri spak ildkp

Lini një Përgjigje