TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Shkurt 2025, 15:25

A po i dështojnë ‘Primaret’ Berishës? Shkon në 3 numri i deputetëve të tërhequr, interes i ulët në rang vendi

Shkruar nga Pamfleti

A po i dështojnë ‘Primaret’ Berishës? Shkon në 3

Burime nga PD thonë se janë rreth 300 kandidatë që kanë dorëzuar dokumentacionin për të garuar në primare....

Procesi i Primareve pritet të rindezë dhe një herë debatet brenda PD. Në zgjedhjet vendore pati shumë përplasje në përfundim të garës, por këtë herë sinjalet janë se po bojkotohet si proces.

Sot ka shkuar në tre numri i deputetëve që kanë vendosur të mos marrin pjesë, teksa duhet theksuar se një ditë më parë vendosi të largohet edhe Indrit Hoxha, Sekretar për Diasporën.

Ndërkohë sa i takon deputetëve, mësohet se pas Helidon Bushtit, nuk do të marrin pjesë në Primare Emilja Koliqi dhe Ferdinand Xhaferri. Ky i fundit doli me një reagim publik sot duke njoftuar distancimin nga procesi.

“Kam qenë që në krye të herës kundër këtij modeli primaresh që më shumë e dëmtojnë sesa ndihmojnë opozitën“, është shprehur ai.

Por përveç dorëheqjeve të deputetëve, në disa qarqe mësohet se edhe interesi i kandidatëve për të marrë pjesë në primare nuk ka qenë shumë i lartë.

Në total, në gjithë vendin, burime nga PD thonë se janë rreth 300 kandidatë që kanë dorëzuar dokumentacionin për të garuar në primare.

Në qarkun e Tiranës do të garojnë disa prej emrave më të njohur të PD-së në Parlament apo në Këshillin Bashkiak, ku bie në sy emri i Jorida Tabakut, e cila është deputete e Tiranës prej vitit 2013 dhe një prej figurave më të rëndësishme të PD-së.

Nga Këshilli Bashkiak i Tiranës kanë aplikuar për të qenë pjesë e primareve dhe për t’u zgjedhur deputetë mjeku Ilir Alimehmeti dhe Ilda Zhulali. Pjesë e primareve do të jetë edhe Andi Mustafaj, djali i themeluesit të PD-së, Besnik Mustafaj, i cili drejton departamentin “Brain Gain” dhe po punon në Njësinë 1 në Tiranë.

Në Durrës, në primare do të jetë Igli Cara, i cili në zgjedhjet lokale të vitit 2023 garoi për Bashkinë e Durrësit me mbështetjen e Sali Berishës. Gjithashtu, në Durrës do të garojë në primare edhe zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo.

Nga grupi i kryetarëve të degëve që duan të garojnë për të qenë deputetë të PD-së, bie në sy se në Lezhë do të garojë ish-gjyqtari Gjin Gjoni, në Durrës Luan Hoti, në Tiranë Petrit Doda dhe në Elbasan Bledi Himci.

Megjithatë, primaret janë vetëm baza për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, pasi lista përfundimtare do të hartohet nga kryesia e PD-së. /Pamfleti

Lini një Përgjigje