
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali duke folur për përfundimin e mandatit të ish-kryeministrit Sali Berisha, deklaroi se ky fakt nuk e shqetëson as ngushëllon aspak.
E ftuar në emisionin ‘Top Talk’ në ‘Top Channel’, Spiropali tha se s’ka rëndësi ku ndodhet, në Kuvend apo në Ballkon, Berisha do të gjejë një mënyrë për të bërë Berishën.
“As më shqetëson as më ngushëllon se si në ballkon si në Kuvend apo në vend tjetër, Sali Berisha do bëjë Sali Berishën, ajo që është e qartë është që ndjekësit e tij janë gjithnjë e më të paktë më të dëshpëruar dhe pa asnjë perspektivë”, tha Spiropali.
Spiropali gjatë intervistës komentoi edhe vendimin e Gjykatës së Apelit e cila i dha vulën e Partisë Demokratike ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Është detyra ime për të zëvendësuar në rastet që kryeministri s’mund të marrë pjesë në parlament, unë nuk i shmangem as përballjeve apo politikave që përfaqësoj, këtë e bëj pa zell, me vendosmërinë e njeriut që beson në atë që bën, janë vështirësi që vijnë me detyrën dhe janë të pritshme me njerëz që janë mësuar të mos e frenojnë gjuhën që me kundërshtarë politikë t’i rrafshojnë dhe sulmojnë, pa pyetur as për kode as për gjë tjetër. Unë nuk i fshihem përballjeve, për një grua është e vështirë të përballet në Kuvend. Unë e kam marrë parasysh që në ditën e parë këtë lloj beteje.
Vetëm dashuri s’bëhet fjalë në këtë marrëdhënie, s’mund të kemi as respekt, kjo për ne është e qartë, është vijë ndarëse mes nesh dhe aty s kemi kompromis, sa duhet të pranojmë që Saliu fitoi një betejë për të qeverisur opozitën, fitoi betejën e qeverisjes së opozitës. Unë nuk komentoj vendimet e gjykatave, por që sot ka humbur luftën për qeverisjen e këtij vendi, nuk qeveris dot Shqipërinë që e ka lënë shumë pas, nuk kanë pikë besueshmërie”, tha Spiropali.
Lini një Përgjigje