Nëse Biden nuk fillon të krijojë një terren mbi Trump në sondazhe deri në fillim të verës, kjo mund të nxisë diskutimet nëse ai duhet të tërhiqet dhe t'i hapë rrugën një kandidati tjetër që do të zgjidhet në Konventën e Demokratëve në gusht...
Joe Biden ishte duke e përfunduar fjalimin e tij vjetor mbi Gjendjen e Unionit në Kongres të enjten e kaluar, kur bëri sulmin e tij të fundit ndaj rivalit Donald Trump. “Jeta ime më ka mësuar të përqafoj lirinë dhe demokracinë... për t'i respektuar të gjithë. Disa njerëz të tjerë po të moshës sime”- tha ai në një referencë të tërthortë për ish-presidentin vetëm 4 vjet më të ri, “shikojnë një histori tjetër, një histori amerikane të zemërimit, hakmarrjes dhe ndëshkimit”.
Presidenti amerikan dhe ndihmësit e tij kryesorë, besojnë se deri më 5 nëntor, ditën e zgjedhjeve, votuesit në mbarë vendin do të shohin të njëjtin kontrast dhe do t'i japin atij dhe jo paraardhësit të tij një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Fjalimi i bujshëm i Biden u prit ngrohtë nga demokratët.
Por kjo nuk mund të fshehë faktin se vetëm 8 muajt para zgjedhjeve, vlerësimet ndaj tij në sondazhe kanë rënë në nivelet më të ulëta që nga fillimi i presidencës së tij. Po ashtu nuk ka siguri mbi aftësinë e tij për të bërë një fushatë të dytë fituese radhazi kundër Trumpit.
Në rastin më të mirë, Biden do të përballet me një garë të mundimshme dhe shumë të ngushtë, edhe duke pasur përballë një paraardhës shumë përçarës, që po largon nga vetja votuesit e moderuar dhe të lëkundur dhe që ka mbi shpinë 91 akuza penale, përfshirë ato mbi rolin e tij në përpjekjen për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.
Presidenti amerikan ka problemet e veta, të cilat mund të zvogëlojnë shanset e tij për një mandat të dytë. Këtu përfshihen dyshimet mbi aftësinë e tij fizike dhe mendore për të shërbyer në këtë post të lartë në moshën 81-vjeçare; reagimi i ashpër nga e majta kundër mbështetjes së pakushtëzuar të Amerikës për Izraelin; frika ndaj emigracionit masiv ilegal në kufirin jugor dhe shqetësimi i vazhdueshëm nga niveli i lartë i inflacionit.
Disa demokratë shqetësohen se Biden është shumë prapa në sondazhe. Biden është mesatarisht 1.8 pikë për qind prapa Trump në çdo lloj sondazhi kombëtar që është zhvilluar deri më sot, ndërsa vlerësimi mbi punën e tij është nën 40 për qind.
“Lajmi i keq është se nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, ai do të humbiste. Lajmi i mirë është se ato do të mbahen pas 243 ditësh”- thotë Paul Begala, strateg demokrat që dikur ka shërbyer si këshilluar i ish-presidentin Bill Clinton. Por a ka Biden strategjinë e duhur por edhe aftësitë politike për t'i ndryshuar gjërat në favorin e tij?
Për Shtëpinë e Bardhë ishte e pritshme që Trump të fitonte garat paraprake brenda Partisë Republikane, madje që disa muaj më parë kur nisën përplasjet midis rivalë si Ron DeSantis, guvernatori i Floridës dhe Nikki Haley, ish-ambasadorja e SHBA-së në OKB.
Në shumë aspekte, një fitore e Trump në primare do të ishte skenari ideal për demokratët, krahasuar me një kandidat republikan më të ri në moshë me tërheqës në të gjitha segmentet e shoqërisë amerikane sesa ish-presidenti luftarak. Megjithatë demokratët janë habitur se sa shpejt Trump arrit të mposhtë kundërshtarët e tij brenda partisë.
Pasi Haley u tërhoq pas zgjedhjeve paraprake të Super të Martës javën e kaluar, Trump është gati të marrë nominimin presidencial të partisë së tij për të tretën herë radhazi, madje edhe më herët sesa në zgjedhjet e 2016-ës. Votuesit konservatorë vazhdojnë të mbeten mbështetës të thekur të tij, dhe Trump ka dominuar shtet pas shteti me pak surpriza, duke e bërë atë, të paktën në letër, një kundërshtar të frikshëm.
Po ashtu ai gëzon një mbështetje pothuajse unanime midis republikanëve në Capitol Hill, duke arritur të kontrollojë strukturat e partisë pa shumë kundërshtime. “Trump e nis këtë fushatë në formën e tij më të mirë”- shkroi javën e kaluar Amy Walter, kryeredaktore në Cook Political Report në Uashington, duke përmendur “bazën e unifikuar dhe entuziaste të ish-presidentit”.
Nga ana tjetër, disa demokratë janë të shqetësuar se koalicioni elektoral i Biden është përçarë dhe dobësuar gjatë vitit të kaluar, ndaj duhen marrë sa më shpejt masat. Disa sondazhe kanë treguar se Biden e ka pasur shumë të vështirë të ruajë mbështetjen e votuesve të rinj, por edhe të meshkujve zezakë dhe hispanikëve jo shumë të arsimuar.
“Koalicioni i Trump është më i vogël por i pathyeshëm, ndërsa ai i Bidenit është më i gjerë, por shumë më i brishtë”- thekson Begala. Ajo çka i vështirëson më tepër gjërat për Biden, është fakti se këtë vit ka më shumë konkurrencë nga kandidatët e partive të treta sesa në 2020-ës.
Pasardhësi politik i mirë-financuar i Robert F Kennedy Jr, Jill Stein i Partisë së Gjelbër dhe aktivisti progresiv Cornel West janë ende në garë me potencialin për të tërhequr me vete votat e protestës. “No Labels”, një organizatë e njohur politike, ka kërcënuar gjithashtu se do të garojë me një kandidat, që do të thithë vota nga republikanët dhe demokratët.
Nëse në fletën e votimit do të ketë shumë kandidatë, rritet më tej epërsia e Trump ndaj Biden.
“Për mua kërcënimi më i madh janë palët e treta”- thotë strategu demokrat Joe Trippi, që ka frikë se kandidatë të tjerë do të përçajnë votën kundër Trump. “Nëse ka një një përçarje të votës për Biden, ka shumë më tepër njerëz pro-demokracisë që nuk e duan Trumpin”- nënvizon ai.
Shtabi i fushatës së Biden, me bazë në Wilmington të shtetit Delaware, është i bindur se dobësitë e presidentit janë duke u tejkaluar, ndërsa dobësitë e Trump janë shumë më të mëdha, sidomos në zonat periferike ku Haley u paraqit me mirë gjatë garave brenda-partiake.
Po ashtu Biden është në avantazh në mbledhjen e fondeve, gjë që do t'i japë mundësi të nisë që tani fushatën e reklamave televizive në shtete të ndryshme. “Joe Biden ia ka dalë të mbërrijë tek votuesit aty ku janë dhe të kapërcejë ndarjet tona, ndërsa Donald Trump - i ngarkuar me një agjendë kaotike - po i distancon vazhdimisht votuesit që do të jenë përcaktues në këto zgjedhje”- tha të premten Jen O'Malley Dillon, drejtuese e shtabit të Biden.
Sondazhet që tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e votuesve të Haley-t nuk do ta mbështesin Trumpin në zgjedhjet e nëntorit, e kanë rritur besimin e shtabit të Biden se ish-presidenti mbetet një kandidat toksik pavarësisht një baze të fortë mbështetësish.
Gjatë muajve të fundit, Biden e ka sulmuar Trumpin shumë më hapur dhe më shpesh sesa presidentët e tjerë në këtë fazë të fushatës. Në fjalimin vjetor të së enjtes së kaluar, Biden nuk iu referua Trump me emër, por sulmoi “paraardhësin” e tij për mosgatishmërinë për të ndihmuar Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër Rusisë, mbështetjen e tij për një vendim të Gjykatës së Lartë që kufizonte të drejtat e abortit, dhe sabotimin e një marrëveshje dypartiake mbi emigracionin, që mund të kishte lehtësuar situatën në kufirin jugor me Meksikën.
“Ai mendon se ajo do të ishte një fitore politike për mua dhe një humbje politike për të. Dhe kjo s’ka të bëjë me të apo me mua. Do të ishte një fitore për Amerikën!”- tha ai duke iu referuar marrëveshjes së mbetur pezull. Por me gjithë mbështetjen e tij për një projekt-ligj dypartiak mbi sigurinë e kufirit, trajtimi i çështjet se migracionit nga Biden mbetet problematik për sa kohë që numri i njerëzve që kalojnë kufirin me Meksikën në mënyrë të paligjshme vazhdon të rritet.
Dhe kjo krizë mbetet një kartë e fortë që po luhet përditë nga republikanët. Nga ana tjetër, Biden është prapa Trump në sondazhe për politikën e tij të jashtme, e cila është parë prej kohësh si një pikë e fortë e tij, duke pasur parasysh karrierën e tij të gjatë si senator dhe zëvendëspresident.
Lufta në Ukrainë po zgjat më shumë se sa pritej, ndërsa mbështetja e Biden për luftën e Izraelit në Gaza është kthyer në një problem politik për të në disa shtete të lëkundura. Më kryesori ndër to është Michigan, ku më shumë se 100.000 njerëz këtë muaj abstenuan ose u shprehën kundër në fletëvotimet gjatë garës paraprake në këtë shtet.
Abdullah Hammoud, krye bashkiaku i qytetit Dearborn në këtë shtet, që ka një përqendrim të madh palestinezo-amerikanësh, thotë se nuk është i sigurt se çfarë mund t'i bindë këta votues të rikthehen tek Biden në këto zgjedhje. “Disa janë në kërkim të një ndryshimi të rëndësishëm të qasjes së SHBA ndaj Gazës, disa janë në kërkim të një armëpushimi të përhershëm të qëndrueshëm, dhe disa po kërkojnë një kufizim të ndihmës ushtarake për Izraelin”- thotë Hammoud.
Po ashtu, Biden duhet të bindë amerikanët mbi aftësinë e tij për ta mbajtur këtë post. Tashmë presidenti më i vjetër në historinë e SHBA-së, ai do të ishte 86 vjeç në fund të mandatit të dytë. Mosha e tij është bërë vazhdimisht shkas për sulmet publike të republikanëve, por gjithashtu ka shkaktuar shqetësim edhe tek disa demokratë.
Nëse Biden nuk fillon të krijojë një terren mbi Trump në sondazhe deri në fillim të verës, kjo mund të nxisë diskutimet nëse ai duhet të tërhiqet dhe t'i hapë rrugën një kandidati tjetër që do të zgjidhet në Konventën e Demokratëve në gusht. Por shumica e strategëve demokratë e shohin këtë si një skenar jorealist dhe politikisht të rrezikshëm në këtë fazë të fushatës. Në vend të kësaj, ata thonë se Biden duhet të fitojë në kutitë e votimit./Përshtati Pamfleti nga “Financial Times”
Lini një Përgjigje