Në prezencë të Lindita Nikollës u firmos heqja dorë e Foltores, nga komisionet hetimore parlamentare që shqetësojnë Bablokun, si dhe pakti që këtej e në vazhdim, mazhoranca do të njohë si PD, grupin e “non grata”-s.
Prej afro 3 vitesh pas shpalljes së Sali Berishës “Non grata”, kryeministri Edi Rama ka deklaruar shumë herë, se ai dhe PS nuk do kontaktonin asnjëherë me grupin e tij të Foltores dhe nuk do t’i pranonin asnjë kërkesë e propozim projekt-ligji dhe rezoluta në parlament.
Këtë betim të tij, socialistët e kanë duartrokitur dhe e kanë quajtur “burrëri të Bablokut” duke u harbuar bashkë me të në tallava; por pa e kuptuar, se ai e përsëriste shpesh e me krekosje, për ta dëgjuar shefat e Shtëpisë së Bardhë, që e shpallën Sali Berishën familjarisht “non grata”.
Por doli, se “betimi” i tij ka qenë aktrim dhe demagogji elektorale, për tru shpëlarjen e socialistëve dhe shqiptarëve që urrejnë Sali Berishën, por që Edi Rama nuk e nxjerrë as nga zemra e as nga “tepsia”.
Sepse Babloku e drodhi përsëri, duke bërë pazarin me mikun “non grata”, të cilin Saliu ende nuk ka pranuar nga “Ballkoni i Shpresës”, ndërsa Babloku e pranoi publikisht, pas takimit me ministrat dhe krye bashkiakët në Shkodër, ku 6 krye bashkiakët e Foltores ishin në rreshtin e parë.
Betimi anti “non-grata” e pro SHBA, u mbajt deri para një jave, kur Babloku urdhëroi Bledar Çuçin të takohej fshehurazi me Gazmend Bardhin, për të firmosur pikat e pazarit që kishte bërë me Berishën.
Pas takimit skutave, Çuçi e Bardhi u dërguan në takim të fshehtë me Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, ku Gazmend Bardhi firmosi mbylljen e “revolucionit të tymuesve e bilbilave”.
Siç është bërë e ditur, në prezencë të Lindita Nikollës u firmos dhe heqja dorë e Foltores, nga komisionet hetimore parlamentare që shqetësojnë Bablokun, si dhe pakti që këtej e në vazhdim, mazhoranca do të njohë si PD, grupin “non grata”.
Ky pazar u zbatua dhe me konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare, ku u pranua Foltorja e përfaqësuar nga Gazmend Bardhi me statusin si “PD”, ndërsa PD-ja ligjore e drejtuar nga Lulzim Basha, nuk u njoftua të merrte pjesë.
Para medias në Shkodër, Edi Rama, tha: - Mos quani marrëveshje, dakordësinë për ngritjen e komisioneve hetimore, kur kjo është drejtë e çdo grupi deputetësh dhe bëhet me komunikim.
Pra, Babloku e pranoi që ka “ngrënë ngjala” me Sali Berishën dhe të shohim nëse do të “hajë peshkun” nga SHBA, për këtë pazar skutash që ka bërë me të sanksionuarin “non grata” dy javë pas vizitës së Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.
Por Babloku, nuk tha, përse e shkeli “betimin”, se nuk do kontaktonte kurrë me grupin “non grata”; se nuk do miratonte asnjë projekt-ligj e komision hetimor të kërkuar prej këtij grupi, dhe pse kanë kontaktuar fshehurazi e jo publikisht.
Pavarësisht se Babloku nuk dha e nuk jep asnjë sqarim, mesazhi është i qartë: Pazari i ri me mikun vjetër Sali Berisha, vërtetoi se për interesat dhe pushtetin e tij, Edi Rama bën gjthçka./Pamfleti
Lini një Përgjigje