TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Korrik 2026, 08:59

50 ditë rezistencë: Kushtrimi i Tiranës kundër kapitalizmit grabitqar

Shkruar nga Mauro Carlo Zanella
50 ditë rezistencë: Kushtrimi i Tiranës kundër kapitalizmit
Pamje nga protesta /

Nga mbrojtja e flamingove rozë te revolta kundër oligarkisë dhe korrupsionit sistemik, Tirana po përjeton një zgjim të rrallë qytetar. Dëshmia e gazetarit italian mbi një lëvizje që, sipas tij, po sfidon jo vetëm qeverinë, por të gjithë modelin politik dhe ekonomik që ka dominuar Shqipërinë për dekada...

I kthyer në Itali prej dy ditësh, pas një udhëtimi në Shqipëri, vazhdoj të ndjek përmes rrjeteve sociale dhe njerëzve që njoha atje atë që tashmë quhet “Revolucioni i Flamingove”. Kam shkuar tri herë në Tiranë dhe këtë herë pata mundësinë të prek nga afër një fenomen që, besoj, mund të na mësojë shumë.

Nga një vend ku deri pak javë më parë dukej se mbretëronte apatia politike dhe sociale, sot vjen një shembull i fuqishëm i angazhimit qytetar, i rezistencës paqësore dhe i shpresës për ndryshim.

Vetëm më 11 maj 2025, e vetëquajtura Parti Socialiste e Edi Ramës kishte marrë 53,27 për qind të votave, ndërsa aleati i saj socialdemokrat, i lidhur me klanin e Tom Doshit (bosi i Shkodrës), kishte siguruar 3.1 për qind.

Nga ana tjetër, opozita e drejtuar nga Sali Berisha kishte marrë 32.93 për qind. Në total, qeveria dhe ajo që shumë protestues e konsiderojnë si ana tjetër e së njëjtës medalje politike kontrollonin 89.3 për qind të votave.

Tri parti të vogla opozitare - dy të qendrës dhe një e majtë - ndanë pjesën e mbetur të elektoratit dhe siguruan nga një mandat secila. Megjithatë, pjesëmarrja në zgjedhje ishte vetëm 44.83 për qind, një shifër që dëshmon mosbesimin e madh të qytetarëve ndaj sistemit politik.

Në fund të majit, protestat paqësore, të nisura fillimisht nga vetëm disa dhjetëra aktivistë mjedisorë dhe nga partia e vogël Lëvizja Bashkë kundër projektit të resortit të Ivanka Trump dhe Jared Kushner në ishullin e Sazanit dhe në zonën e mbrojtur të Lagunës së Nartës, morën një kthesë të papritur.

Reagimi i dhunshëm i rojeve private që ruanin zonën u filmua dhe pamjet u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale. Ajo që filloi si një protestë ekologjike u shndërrua brenda pak ditësh në një lëvizje të gjerë qytetare. Indinjata publike u rrit me shpejtësi, duke sjellë në rrugë dhjetëra mijëra qytetarë.

Tirana u kthye në epiqendrën e protestave, të cilat prej 50 ditësh zhvillohen pa ndërprerje. Çdo mbrëmje organizohen tubime para godinës së Kryeministrisë, të pasuara nga marshime që përshkojnë rrugë të ndryshme të kryeqytetit, duke përfshirë gjithnjë e më shumë qytetarë.

“Shqipëria nuk është në shitje”, “Shqipërisë i duhet një revolucion”, “Dorëheqje!”, “Për ju ka mbaruar”, “Jo korrupsionit”, “Rama e Berisha në burg”, “Duam një Shqipëri të re” janë vetëm disa nga sloganet që dëgjohen çdo ditë në protestë.

Duke nisur nga mbrojtja e oazit natyror ku folezojnë flamingot rozë, lëvizja u zgjerua me shpejtësi drejt një game shumë më të gjerë shqetësimesh që lidhen me keqqeverisjen e vendit. Në qendër të revoltës është korrupsioni, i cili, sipas protestuesve, e ka reduktuar politikën në një garë të pandërprerë për pushtet, duke lënë në harresë interesin publik dhe zgjidhjen e problemeve reale të qytetarëve.

Protestat kanë përfshirë jo vetëm banorët e Shqipërisë, por edhe shqiptarët e diasporës dhe ata që jetojnë në vendet fqinje. Në thelbin e kërkesave të tyre është nevoja për një model zhvillimi të qëndrueshëm, që krijon vende pune në shërbim të komunitetit dhe jo në funksion të spekulimeve të kapitalit të huaj apo të fitimeve të një grushti oligarkësh.

Dalëngadalë, lëvizjes iu bashkuan pensionistë që jetojnë me pensione minimale, punëtorë të shfrytëzuar, të rinj të detyruar të emigrojnë për mungesë perspektive, persona me aftësi të kufizuara që ndihen të braktisur nga shteti, studentë dhe familje të tëra që kërkojnë një Shqipëri më të drejtë.

Ajo që bie më shumë në sy është karakteri paqësor i kësaj lëvizjeje. Përkundër zemërimit të madh që ka prodhuar situata ekonomike dhe politike, protestuesit kanë zgjedhur të shprehen përmes marshimeve, fjalimeve dhe organizimit qytetar, duke shmangur përplasjet dhe dhunën.

Revolta paqësore e këtij populli, që vazhdon me këmbëngulje betejën e tij të përditshme, duhet të shërbejë si frymëzim për të gjithë popujt që shohin të drejtat e tyre të kërcënuara nga një elitë e ngushtë njerëzish, e cila pasurohet gjithnjë e më shumë, pa asnjë parim etik dhe me bashkëfajësinë e politikanëve të korruptuar.

Pavarësisht se si do të përfundojë kjo lëvizje, një gjë duket tashmë e qartë: në Shqipëri është zgjuar një zë qytetar që nuk pranon më të heshtë.

kushtrimi i tiranës 50 ditë rezistencë kapitalizmi grabitqar

Lini një Përgjigje