
Rudina Hajdari ka kujtuar 8 Dhjetorin, Ditën Kombëtare të Rinisë. Në 34-vjetorin e lëvizjes studentore, Hajdari tha se kjo ditë do të shërbejë si frymëzim për një Shqipëri më të drejtë dhe më të begatë.
Duke përkujtuar të atin, Azem Hajdari i cili udhëhoqi lëvizjen studentore, Rudina shkruan se studentët dhe pedagogët e 8 dhjetorit me guximin dhe vendosmërinë e tyre, ia dolën të ndezin një flakë shprese që ndryshoi përgjithmonë historinë e vendit.
Ajo shton se veprimi i tyre na kujton përgjegjësinë që kemi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në Shqipëri.
“Më 8 dhjetor 1990, lëvizja studentore e udhëhequr nga Azem Hajdari nisi një kapitull të ri për Shqipërinë, duke sfiduar një nga diktaturat më të egra në botë. Studentët dhe pedagogët, me guximin dhe vendosmërinë e tyre, ia dolën të ndezin një flakë shprese që ndryshoi përgjithmonë historinë e vendit.
Sot, akti i tyre na kujton përgjegjësinë që kemi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në Shqipëri. Na fton të punojmë çdo ditë për një vend me institucione të forta, demokraci të qëndrueshme dhe një shtet që kujdeset për mirëqenien e qytetarëve të tij. Është një thirrje për rininë që të mos heqë dorë nga shpresa dhe të luftojë për të bërë realitet ëndrrën e një Shqipërie si gjithë Europa.
Gëzuar 8 dhjetorin! Uroj kjo ditë të na shërbejë si frymëzim për të vijuar përpjekjet drejt një Shqipërie më të drejtë dhe më të begatë”, shkruan Rudina Hajdari.
Lini një Përgjigje