Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar pas deklaratës fyese që kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përdori ndaj saj gjatë seancës parlamentare në Kuvend. Nga foltorja e parlamentit, Balla iu drejtua deputetes demokrate me shprehjen: “për ty kam numrin me 0900”, deklaratë që shkaktoi tensione dhe reagime në sallë.
Në reagimin e saj, Vokshi u shpreh se nuk është ndjerë e fyer personalisht nga deklarata, por e lënduar nga mënyra se si situata u menaxhua nga drejtimi i Kuvendit.
Ajo falënderoi kolegët që u bashkuan në qëndrimin se dhuna psikologjike institucionale nuk ka vend në Parlament, ndërsa kritikoi edhe reagimin e disa deputeteve të mazhorancës për mungesë reagimi ndaj gjuhës seksiste të përdorur.
Vokshi shtoi se, sulmi ndaj saj ishte politik dhe se opozita dhe gratë deputete të saj po shënjestrohen për shkak të qëndrimeve që mbajnë në Kuvend.
"Falënderoj kolegët që u bashkuan në një mendim që dhuna psikologjike institucionale nuk ka vend në Parlament. Nuk jam ndjerë e fyer nga ajo që u tha dje, sepse njerëz me veprime si të tijat e turpërojnë Parlamentin. Por jam ndjerë e lënduar për mënyrën sesi kryetari i Kuvendit e menaxhoi situatën. E menaxhoi në mënyrë të turpshme dhe nga ana e grave deputete të PS për gjuhën seksiste që u përdor nga kryetari i grupit tuaj parlamentar.
Nuk di se cila prej çështjeve që fola unë e preku kryetarin e grupit tuaj. Unë kam bindjen se shënjestrimi ishte politik, nuk ishte i rastësishëm. Po tentojnë të godasin opozitën dhe gratë deputete të opozitës. Këdo që ngre zërin. E kam vuajtur në lëkurë edhe fyerjen e Edi Ramës. Partia juaj ka pushkatuar gratë. Unë nuk pres ndjesë, të mos tallemi… ndjesë mashtrim që as unë, asnjë nga ne, nuk e hamë dot. Të kalojmë te dhuna që ushtron partia juaj ndaj grave. Më kanë kërcënuar dhe shantazhuar. Më kanë kërcënuar mua dhe vajzën time. Më kanë përjashtuar 3 muaj duke më hequr të drejtën e fjalës", u shpreh Vokshi.
Lini një Përgjigje