TAGS-AT E JAVËS

Kulture15 Korrik 2026, 15:18

Shqipëria në Hollywood, polifonia labe do të dëgjohet në filmin “Odisea”

Shkruar nga Pamfleti

Shqipëria në Hollywood, polifonia labe do të dëgjohet

Trashëgimia muzikore shqiptare do të ketë një vend të veçantë në një nga filmat më të mëdhenj të viteve të fundit. Tingujt e polifonisë labe dhe fyellit dyjar shqiptar janë bërë pjesë e frymëzimit muzikor për kolonën zanore të filmit “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan.

Kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, ka zbuluar se gjatë krijimit të muzikës së filmit ka kërkuar tinguj autentikë nga kultura të lashta, duke udhëtuar edhe në jug të Shqipërisë për të regjistruar iso-polifoninë shqiptare.

Në një intervistë për New York Magazine, Göransson tregoi se përjetoi një udhëtim të veçantë artistik, gjatë të cilit kaloi një javë duke regjistruar këtë traditë muzikore të njohur nga UNESCO si Pasuri e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.

“Shkova në jug të Shqipërisë dhe kalova një javë duke regjistruar një stil të lashtë këngësh të quajtur iso-polifoni, të cilin nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë në një film”, u shpreh kompozitori.

Përveç polifonisë, ai regjistroi edhe tingujt e fyellit dyjar, një instrument tradicional i përdorur prej shekujsh nga barinjtë shqiptarë në zonat jugore.

“Regjistruam fyellin që barinjtë shqiptarë e luajnë prej mijëra vitesh”, tregoi Göransson, duke përshkruar përvojën e tij gjatë punës në terren.

Filmi “The Odyssey”, i bazuar në poemën epike të Homerit, është një nga projektet më ambicioze kinematografike të Christopher Nolan dhe pritet me interes të madh në mbarë botën.

Përfshirja e elementeve tradicionale shqiptare në kolonën zanore të këtij produksioni i jep një jehonë ndërkombëtare një prej pasurive më të rëndësishme të kulturës muzikore shqiptare. Polifonia labe dhe cula dyjare tashmë do të udhëtojnë përtej kufijve, duke u bërë pjesë e një spektakli të madh të Hollywood-it.

 

odisea polifoni labe

Lini një Përgjigje