TAGS-AT E JAVËS

Kulture14 Korrik 2026, 10:19

Restaurim kulturor apo diplomaci infrastrukturore: Ura mbi Tarë; Kina financon restaurimin e simbolit të Malit të Zi

Shkruar nga Pamfleti

 Restaurim kulturor apo diplomaci infrastrukturore: Ura mbi Tarë; Kina

Investimi prej 7.05 milionë eurosh synon të zgjasë jetën e urës historike edhe për 50 vjet; punimet ecin përpara planit, por turistët, trafiku dhe klima e ashpër po e vështirësojnë kantierin...

Ura e famshme e Gjurgjeviça Tarës, një nga monumentet më të njohura të Malit të Zi, pritet të shfaqet e restauruar plotësisht gjatë vitit 2027. Projekti financohet nga Kina me një donacion prej 7.05 milionë euro dhe realizohet nga kompania kineze “Shandong Luqiao Group”, nën mbikëqyrjen e autoriteteve malazeze.

Sipas drejtuesve të projektit, rreth 60 për qind e punimeve kanë përfunduar dhe ritmi është disa pikë përqindjeje përpara planit. Punimet kryesore pritet të mbyllen deri në fund të vitit 2026, ndërsa leja përfundimtare e përdorimit parashikohet të merret deri në korrik 2027.

Restaurimi përfshin urën dhe afërsisht një kilometër rrugë hyrëse. Për të vazhduar ndërhyrjet në pjesën e kalueshme, objekti pritet të mbyllet plotësisht për rreth dy muaj e gjysmë, me synimin që trafiku të rikthehet nga mesi i tetorit, në varësi të kushteve atmosferike.

Turistët në skela dhe kamionët përtej ndalimit

Vështirësia nuk lidhet vetëm me arkitekturën e urës, e cila ngrihet rreth 170 metra mbi kanion dhe ka gjatësi 365 metra. Punimet janë penguar edhe nga turistët që kalojnë barrierat dhe ngjiten në skela për të bërë fotografi, si dhe nga drejtues kamionësh që nuk kanë respektuar kufizimet e trafikut. Për kontrollin e situatës është kërkuar edhe ndërhyrja e policisë.

Inxhinierët thonë se pas restaurimit ura mund të qëndrojë funksionale edhe për rreth gjysmë shekulli. Megjithatë, për shkak të peshës së mjeteve moderne, pritet të vendosen kufizime për transportin e rëndë, duke e orientuar objektin kryesisht drejt trafikut të lehtë dhe turizmit.

Restaurim kulturor apo diplomaci infrastrukturore?

Përtej aspektit teknik, projekti ka edhe një dimension diplomatik. Marrëveshja ndërmjet Kinës dhe Malit të Zi për restaurimin u nënshkrua në vitin 2018, ndërsa kontrata e donacionit në vitin 2020. Pekini po investon kështu jo vetëm në beton dhe infrastrukturë, por edhe në një simbol historik e turistik të një vendi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Për Malin e Zi, restaurimi mund të sjellë më shumë vizitorë dhe të ringjallë bizneset lokale, të cilat kanë raportuar rënie të aktivitetit gjatë punimeve. Për Kinën, është një tjetër mundësi për të forcuar praninë dhe imazhin e saj në Ballkan përmes diplomacisë së investimeve./Pamfleti

kina mali i zi ura mbi tarë

Lini një Përgjigje