
Një koleksion sendesh personale të këngëtarit legjendar Freddie Mercury pritet të dalin në ankand. Janë rreth 1500 artikuj, që i përkasin yllit të ndjerë të ‘Queen’, duke përfshirë disa nga tekstet e tij të shkruara me dorë dhe kostume ekstravagante skenike.
Mary Austin, një nga mikeshat e vjetra të Mercurit (me të cilën bashkëjetoi para se tw zbulonte se ishte gei), ka vendosur të organizojë ankandin. Këngëtari e ndërtoi koleksionin mbi 30 vjet dhe mbajti gjithçka në shtëpinë e tij në perëndim të Londrës. Kur vdiq në vitin 1991, ai ia la trashëgimi Mary Austin-it.
"Koleksioni ju çon më thellë brenda individit dhe njeriut që njoha," tha Austin, e ulur në dhomën e madhe të galerive, me një portret të piktorit francez Tissot në mur, e cili ishte vepra e fundit e artit e blerë nga Mercury, një muaj para se të vdiste. Piktura vlerësohet të arrijë shifrat midis 400,000-600,000 paund.
“Ju e shihni spektrin e shijes së tij”, tha Austin, për BBC. “Është një koleksion shumë inteligjent, i sofistikuar”.
Një nga himnet e “Queen”, “We Are The Champions”, duke përfshirë harmonitë dhe akordet, të shkruara në nëntë faqe me dorë, pritet të shiten për 200,000-300,000 paund. Ndërsa teksti i këngës “Killer”, i shkruar në një fletë të vetme letre në vitin 1974, mendohet të arrijë 50,000-70,000 paund.
Austin tha se tekstet ishin veçanërisht të vështira për t'u ndarë, sepse ato tregojnë "anën më të bukur" të burrit të cilit i ishte përkushtuar.
Nëntëmbëdhjetë vjeçarja Austin u takua për herë të parë me Mercury në vitin 1970.
Lini një Përgjigje