Romani “Don Kanuni” rikthehet pas 13 vitesh si paralajmërim për shoqërinë shqiptare që ende lëviz midis patriarkatit dhe fluiditetit gjinor
Romani i Idlir Azizit, “Don Kanuni ose, ngadalë gjaksi fillon dremit”, mbetet një nga veprat më provokuese të letërsisë shqiptare bashkëkohore. Me satirë, grotesk dhe ironi, autori sheh përballë një Shqipëri që nuk ka dalë ende nga hija e Kanunit, por tani e gjen veten në krizën e identiteteve gjinore dhe morale.
Idlir Azizi, një nga autorët shqiptarë me ndikim ndërkombëtar, mbetet ndër zërat më të veçantë të prozës bashkëkohore. Romani i tij “Don Kanuni ose, ngadalë gjaksi fillon dremit”, botuar në vitin 2012, është sot më aktual se kurrë. Në qendër të veprës qëndron përplasja midis Kanunit dhe fenomeneve moderne të identitetit gjinor, një debat që sot përfshin politikën, ligjin dhe kulturën shqiptare.
Në këtë roman, Azizi vendos një skenë groteske ku viktima e një gjakmarrjeje është një person “as burrë, as grua”. Kjo përplasje mes traditës arkaike dhe filozofisë moderne të Judith Butler për gjininë, i shërben autorit si metaforë për përplasjen e Shqipërisë me vetveten. Pleqtë e Kanunit, të paqartë për ta kategorizuar viktimën, thërrasin një filozofe të huaj për ndihmë. Kjo situatë absurde përçon dramën e një vendi që kërkon të përshtatë Kanunin në shekullin XXI.
Në roman, Shqipëria është aeroporti grotesk i një shoqërie që ngrihet dhe bie në pikiatë, mes mitomanisë kombëtare, korrupsionit institucional dhe krizës së identitetit moral. Autori ndërthur sarkazmën me filozofinë, duke e kthyer lexuesin në bashkëudhëtar të një fluturimi supersonik përmes absurdit shqiptar.
Nëpërmjet alegorive dhe ironisë së hollë, Azizi dekonstruon nacionalizmin e rremë, “faqezinjtë” që kërkojnë origjinën te Osirisi egjiptian, dhe politikanët që ndërtojnë ideologji mbi patriarkalizmin folklorik. Në këtë kuptim, romani është një pasqyrë e shoqërisë shqiptare që ndryshon me shpejtësi, por mendon ngadalë.
Satira e Azizit godet pa mëshirë: pleqtë e Kanunit, filozofja e huaj, polici që kruan organet e tij gjatë vendimit, e deri te shoqatat absurde që duan të “rikrijojnë” mashkullin shqiptar. Kjo është një letërsi që nuk fal, por as nuk predikon. Ajo ofron reflektim: çfarë është njeriu shqiptar midis traditës dhe tranzicionit?
Në aspektin estetik, romani është një shembull i mendimit dualist që bashkon frymën idealiste me kritikën moderne. Në vetëm 125 faqe, Azizi ndërton një vepër të shtresëzuar, që kombinon mendimin filozofik me satirën politike dhe antropologjinë e absurdit.
Kjo e bën romanin jo thjesht një histori letrare, por një dokument të mendimit shqiptar në periudhën e tranzicionit të pafund. Autori ngre pyetjen që mbetet thelbësore:
“Nëse gjinia është çështje identiteti, a mund të jetë kombi një çështje morali?”
Letërsia e Idlir Azizit është letërsi që lexuesi e ndjen, jo vetëm e kupton. Sepse, siç duket, “Don Kanuni” nuk flet për një të kaluar, por për një Shqipëri që ende nuk ka vendosur cilës gjini i përket./Pamfleti
Lini një Përgjigje